Tragjike! Motra dyshohet se mbyti motrën me jastëk

Një ngjarje tragjike ka ndodhur ditën e sotme në Kosovë, ku një 33-vjeçare nga fshati Vragoli i Fushë Kosovës ka mbetur e vdekur mesditën e sotme.

Mediat e Kosovës bëjnë me dije se 33-vjeçarja dyshohet se është mbytur me jastëk nga motra e saj, e cila është tre vite më e vogël se viktima.

Dyshohet se dy motrat dhe anëtarët e tjerë të kësaj familjeje kanë probleme mendore.

Ndërkohë sipas Policisë e Kosovës bëhet fjalë për vdekje të dhunshme.

“Rreth orës 12:00, kemi pranuar informatën për një rast vdekje e dyshimtë, në fshatin Vragoli të Fushë Kosovës. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes si dhe mjekët emergjent të cilët kanë konstatuar vdekjen e viktimës femër 33 vjeç.

Mbështetur në të dhënat fillestare të këqyrjes së vendit të ngjarjes përkundër që ka elemente që sugjerojnë për një vdekje të dhunshme, policia me kujdes të shtuar po heton rastin si vdekje të dyshimtë dhe po ndërmerr të gjitha veprimet e duhura hetimore dhe ato forenzike – të ekzaminimit që do të ndihmonin hetimin e ngjarjes si dhe sqarimin dhe ndriçimin e plotë të rastit”, ka njoftuar policia.