BOOM - 18 muaj pas tërmetit, familja në Rrashbull vijon të jetojnë në shtëpinë që u rrezikon jetën
Emisioni investigativ Boom udhëtoi në fshatin Manskuri, njësia administrative Rrashbull.
Sadik Gjuzi është kryefamiljari, i cili tregon situatën e rëndë të familjes së tij.
Shtëpia u është dëmtuar nga tërmeti, e më pas është përfshirë dhe nga një zjarr, por familja janë të detyruar të jetojnë në banesën e dëmtuar DS4, pasi nuk kanë ku shkojnë.
Familja mbledh ujë shiu nëpër bidonë për ta përdorur, në mungesë të ujit.
Na tregon shtëpinë e djegur, pasi ka rënë zjarr në shtëpi, shtëpia është e pa jetueshme, por vazhdojnë të qëndrojnë aty.
Ai shprehet se s’kanë as ujë as drita dhe asgjë tjetër, por jetojnë vetëm me qiri.
Të pestë anëtarët e familjes flenë në një dhomë të vetme dhe vetëm një nga djemtë e vegjël punon për të siguruar jetesën e familjes.
"Vetëm djali më i vogël i shtëpisë punon dhe me paratë që sjell ai ne shtyjnë jetesën. Djalit i ka rënë barra e shtëpisë. Unë dua që vetëm të rindërtohet shtëpia, e të fusim kokën brenda, të jetojmë si gjithë njerëzit. Ne nuk marrim bonus qiraje."
Boom shkoi në njësinë administrative Rrashbull, në zyra e emergjencave të kësaj njësie për të kërkuar informacion.
Zyra sqaroi se për rastin e zotit Sadik Gjuzi është bërë aplikimi, dokumentet janë shtjelluar dhe se problemi i zotërisë është pjesa e infrastrukturës së rindërtimit.
Zyra e Emergjencave shtoi se firma që është kontraktuar për pjesën e rindërtimit e ka pasur të pamundur dhe se z. Gjuzi ka bërë një kërkesë ndaj njësisë për përfitimin e grantit të rindërtimit, që ta ndërtojë vetë Shqipërinë.
Përsa i përket bonusit të qirasë, theksohet se qytetarit i është kërkuar të dorëzojë dokumentet në mënyrë që t'i kalojë bonusi i qirasë.
Punonjësja e Zyrës për Boom theksoi se ka tre muaj që qytetarit i ka kaluar bonusi i qirasë.

