Kuba me lider të ri, Migel Diaz-Kanel caktohet Sekretar i Parë i Partisë Komuniste
Kuba i ka dhënë fund epokës mbi-60-vjeçare të klanit Kastro, duke caktuar presidentin Migel Diaz-Kanel për ta qeverisur.
60-vjeçari Diaz-Kanel u zgjodh të hënën si Sekretar i Parë i Partisë Komuniste, posti më i lartë vendimmarrës në vend.
Ai konsiderohet besnik i paraardhësit Raul Kastro, vëllai i ish-Sekretarit dhe presidentit historik kuban, Fidel Kastro.
"Shoku Raul ka për të qenë gjithmonë i pranishëm, me ide dhe qëllime për kauzën tonë revolucionare, për të përballur imperalizmin siç bëri me pushkën e tij. Kuba ka nevojë për të dhe ne do ta konsultojmë për vendimet strategjike më me rëndësi për fatet e vendit."
Migel Diaz-Kanel pasoi presidencën nga Raul Kastro në vitin 2018 dhe shërben në byronë politikë të Partisë Komuniste që nga viti 2003.
Ai e merr pushtetin në kohën kur Kuba gjendet përpara krizës ekonomike më të rëndë të këtyre 30 viteve, me inflacion të lartë, me mungesa ushqimore dhe liri të kufizuara.
"Periudha 5-vjeçari që ky Kongres ka analizuar nuk tregon rezultate të mira ekonomike, që ndikohen edhe nga mungesa e efektivitetit të sektorit të bizneseve dhe atij buxhetor. Ka ende probleme strukturore, tepri shpenzimesh që nuk duhen bërë dhe mungesë burimesh materiale dhe financiare, pengesa të panevojshme dhe burokraci, të cilat e bllokojnë zhvillimin," tha Diaz-Kanel.
Sekretari i Partisë premtoi edhe dalje nga kriza e kovidit-19, e cila deri tani ka infektuar gati 95 mijë dhe ka vrarë mbi 500 qytetarë kubanë.