Shpërthimi në depon e armëve, Rusia hakmerret ndaj Çekisë, dëbon 20 diplomatë
20 punonjës të Ambasadës çeke në Moskë janë shpallur persona non grata si reagim ndaj dëbimit të 18 diplomatëve rusë nga Çekia. Praga akuzon Moskën për përfshirje në një sulm të vitit 2014, që dyshohet se u krye me pjesëmarrjen e agjentëve rusë në vend.
Rusia do të dëbojë nga vendi 20 diplomatë të Republikës Çeke duke përshkallëzuar raportet e krisura mes tyre në fundjavë.
Të shtunën ishte Çekia që shpalli 18 diplomatë rusë "persona non grata", me pretendimin se ata janë operativë të shërbimeve ruse.
Çekia dyshon se diplomatët rusë që ajo u kërkoi të largohen, u përfshinë në ngjarjen e vitit 2014, në shpërthimin e një depoje armësh në vend që do të linte dy të vrarë dhe dëme materiale.
Shpërthimi mendohej se ishte aksident por autoritetet thonë se ishte përgjegjësi e Moskës, dhe e dy operativëve të saj të kundërzbulimit.
Alexander Mishkin dhe Anatoli Çepigov akuzohen edhe për sulmin me gaz paralizues të poliagjentit rus Sergei Skripal dhe vajzës së tij në Britani.
Akuzat i njoftoi kryeministri çek, Andrej Babish.
Qytetarë çekë u mblodhën të dielën të revoltuar para ambasadës ruse në Pragë.
"Mendoj se duhet ta mbyllin fare aktivitetin këtu. Në ambasadë janë të gjithë agjentë, nuk janë njerëz normalë. Putini po bën gjëra të tmerrshme, si despot."
"Mendojmë se ai i 2014-ës ishte një sulm i tmerrshëm. Të vrasësh qytetarët e Republikës Çeke në territorin e vet, është pothuajse akt lufte."
Ministria e Jashtme ruse njoftoi se palës çeke i është kërkuar edhe që ta ulë numrin e personelit të punësuar në Moskë sa numri i punonjësve të ambasadës ruse në Çeki, ndërsa e ka quajtur armiqësor dhe të paprecedentë veprimin e palës tjetër.