Rusia shton prezencën në Detin e Zi, dy luftanije ruse kalojnë ngushticën e Bosforit
Prezenca e shtuar e ushtrisë ruse në kufirin lindor të Ukrainës dhe në Detin e Zi po thellon tensionet mes dy shteteve. Kievi i druhet pushtimi ndërsa Moska pretendon se po vepron në interes të sigurisë kombëtare pasi ndihet e kërcënuar nga trupat e NATO-s në kufirin e saj.
Ndërsa Perëndimi shpreson për shtensionimin e shpejtë të situatës mes Rusisë dhe Ukrainës, Moska po shton përforcimet nga toka dhe deti.
Dy luftanije ruse kaluan ngushticën e Bosforit për në Detin e Zi, atje ku edhe flota detare britanike pritet të dërgojë anijet e veta të luftës, për t'u solidarizuar me Kievin dhe aleatët e NATO-s.
Ministria britanike e Mbrojtjes premtoi mbështetje të palëkundur për sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës.
Franca dhe Gjermania pranuan të premten me sugjerim të Ukrainës që të mbajnë një samit bashkë me Rusinë për t'i dhënë fund krizës.
Kievi druan se Moska do ta pushtojë duke u futur nga rajoni lindor i Donbasit ku prej muajsh vijojnë përplasjet me forcat separatiste ruse.
Presidenti francez, Emanuel Makron, i propozoi të dielën homologut të tij, Vladimir Putin, të përfshihet në dialog dhe të tërheqë trupat.
"Mendoj se qasja jonë duhet bazuar në dy shtylla. E para është dialogu, për të cilin jam i bindur se presidenti Putin është i hapur. Nga ana tjetër, ta kemi të qartë se kur nuk do të merremi vesh, do të aplikojmë sanksionet, që unë mendoj se nuk janë të mjaftueshme por janë pjesë e paketës. Me Rusinë duhet t'i ndajmë qartë vijat e kuqe."
Tensionet mes Rusisë dhe Ukrainës u shtuan këtë fundjavë edhe në frontin diplomatik.
Moska ndaloi të shtunën një diplomat ukrainas me dyshimin e spiunazhit dhe marrjes së informacioneve sekret nga shërbimet ruse.
Kievi reagoi duke paralajmëruar dëbimin e një diplomati rus në shenjë reciprociteti.