Gazi lotsjellës në Kuvendin e Kosovës, Gjykata jep vendimin për ministren e drejtësisë dhe 3 zyrtarë të tjerë
Përdorimi i gazit lotsjellës nga ana e opozitës në Parlamentin e Kosovës më shumë se 5 vite më parë nuk ishte një veprim kriminal, por politik.
Katër ish-deputetë dhe ministra u deklaruan të mërkurën të pafajshëm për veprën penale të armëmbajtjes pa leje.
Ministrja aktuale e Drejtësisë, Albulena Haxhiu nga Lëvizja Vetëvendosje, ishte një nga protagonistet e skenave të viteve 2015-2016.
“E kuptoj aktakuzën, nuk e kundërshtoj si të tillë për faktin se në vitet 2015-16 Kosova është përballuar me dy projekte të rrezikshme ka qenë obligim i yni si deputet i Kuvendit të Kosovës që të ndërmarrim veprime protestuese në mënyrë që zëri dhe argumentet tona politike që nuk dëgjoheshin të merren parasysh. Qëllimi jonë nuk ka qenë qëllim kriminal është shumë e rëndësishme edhe për prokurorin dhe për ju gjyqtare sepse në një proces gjyqësor është shumë i rëndësishëm edhe qëllimi. Por, thjesht qëllimi jonë ka qenë ta mbrojmë Kosovën nga cenimi i territorit por edhe nga bosnjëzimi i saj. Sikur ne mos t’i kishim marr ato veprime sot do t’i vuanim dënimet e atyre projekteve siç është bosnjëzimi i Kosovës. Prandaj, ne vetëm mund të themi se jemi krenar për veprimet që i kemi bërë dhe nuk ndjehemi fajtor. Sa herë që do përballemi me situata të tilla uroj që mos të përballemi më janë aty për ta mbrojtur Republikën e Kosovës dhe qytetarët e saj.”
Gjykatës Themelore të Prishtinës iu drejtuan edhe deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, me ish-deputetet Donika Kada-Bujupi dhe Besa Baftiu.
“Sa i përket veprimi tonë ka qenë veprim politik i domosdoshëm dhe betimi i deputetit është për të mbrojtur shtetin e Kosovës, territorin për të mos lejuar askënd ta cenoj territorin. Prandaj, veprimet e mija kanë qenë politike dhe nuk ndihem fajtor për veprimet.”
“Të gjitha veprimet janë qenë publike, rrjedhimisht për bindje dhe qëllime politike ky ka qenë motivi. Asnjëherë nuk e kam mohuar veprimin si të tillë, kanë qenë veprime të përsëritura në fakt në sallën e Kuvendit, në kuadër ë mandatit të deputetes së Republikës së Kosovës, për të gjitha veprimet e mija të cilat nuk i mohoj pra i pohoj nuk ndihem fajtore.”
“Lidhur me veprën të cilën e kemi kryer ndihem e pafajshme duke pasur parasysh se ato kanë qenë veprime politike ashtu siç e ceku edhe kolegia ime. Kemi bërë veprime të cilat kanë qenë publike në Kuvendit të Kosovë gjatë mandatit si deputetë.”
Sipas aktakuzës së ngritur në prill të vitit 2016, katër të pandehurit akuzohen se mbanin pa autorizim bombola të gazit lotsjellës, të cilat i kishin aktivizuar gjatë pushimit të Kuvendit.
Subjektet Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën, kundërshtonin marrëveshjet për Asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe Marrëveshjen për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, ndërsa e njëjta metodë u përdor edhe në shkurt të 2016-ës për të ndalur zgjedhjen e presidentit të atëhershëm, Hashim Thaçi.
Përkundër kërkesës së prokurorisë për vijimin e seancës, Gjykata Themelore caktoi 18 majin si datë për gjyqin e radhës.