Protestë për HEC-in në Mirditë, shoqërohen në polici 33 aktivistë dhe banorë të zonës
Banorët e fshatrave Thirrë e Sangë në Mirditë u përplasën me policinë dhe bllokuan për disa minuta njërën korsi të Rrugës së Kombit gjatë një proteste kundër shfrytëzimit të burimeve ujore të zonës.
Prej aty deklaruan se janë të vendosur për ndalimin e këtyre projekteve që i cilësojnë abuzive.
"Janë bërë ankesa te të gjitha institucionet shtetërore dhe të gjitha kanë heshtur. Është bërë një protestë paqësore para 10 ditëve dhe kompania vazhdon të hedhë beton," thotë një protestues.
"Këta kanë bërë një padrejtësi dhe vazhdojnë të hedhin akoma beton. Nuk e kuptoj a ka shtet, a s'ka këtë e dinë ata," thotë një tjetër.
"Asnjë përgjigje nuk na ka ardhur, ka 2-3 dhe presionet janë nga më të ndryshmet," thotë protestuesi tjetër.
Në mbështetje kishin edhe përfaqësues të disa organizatave mjedisore dhe deputetë e aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje, forcës politike të drejtuar nga kryeministri i Kosovës Albin Kurti që gjithmonë e më shumë po përfshihet në çështje debate edhe në Shqipëri.
"Çështjet ambientale janë çështje jetike, prandaj kur dështon zëri i arsyes tek institucionet, qytetaria aktive është përgjigjja më e mirë. Uji është vetë jeta dhe nëse ua merr ujin këtyre banorëve ja ke marrë jetën," thotë përfaqësuesi i LVV.
33 prej tyre u shoqëruan në Policinë e Lezhës e cila më pas vendosi ti hetojë në gjendje të lirë për protestën e cilësuar të paligjshme, bllokimin e rrugës dhe kundërshtimin e uniformave blu.
Lexo edhe: Banorët në Mirditë ngrihen në protestë