Zvicra heq Shqipërinë nga lista e vendeve me rrezikshmëri të lartë nga COVID-19
Duke filluar nga dita e djeshme, 8 Prill, shqiptarët që do të udhëtojnë drejt Zvicrës nuk janë të detyruar të karantinohen në momentin që shkelin tokën helvete.
Heqja e Shqipërisë nga kjo listë parashikon që udhëtarët nga vendi ynë në drejtim të Zvicrës, të cilët udhëtojnë në rrugë ajrore do të kenë detyrimin të plotësojnë një formular digjital me të dhëna dhe të paraqesin rezultatin negativ të testit PCR të kryer jo më herët se 72 orë para udhëtimit.
Për ata që udhëtojnë në rrugë tokësore me mjete transporti publik do të aplikohet vetëm plotësimi i formularit digjital, pa pasur detyrimin e paraqitjes së testit negativ PCR, ndërsa ata që udhëtojnë me automjete private në rrugë tokësore nuk kanë detyrim të paraqesin asnjë nga dokumentet e mësipërme.
Në linkun në krah mund të merrni të gjithë informacionin e nevojshëm në gjuhën angleze.
Kujtojmë se deri ditën e djeshme, Shqipëria ka kryer 232,556 vaksinime.