Florida, ujëmbledhësi rrezikon përmbytjet

Shteti amerikan i Floridës shpalli gjendjen e jashtëzakonshme pasi i druhet përmbytjeve prej çarjes së ujëmbledhësit të ujërave të zeza.

Më shumë se 300 shtëpive në Gjirin e Tampës iu kërkua të largohen; është bllokuar trafiku në autostradën pranë rezervuarit dhe mbi 340 të burgosur janë zhvendosur nga burgu afër zonës.

Sipas autoriteteve baseni lokal i ujërave të zeza nisi të rrjedhë në muajin mars, por të premten gjendja u bë më serioze pasi u zbulua se uji përmbante nivele të larta fosfori dhe azoti.

"Që të jemi të qartë, uji që po shkarkohet në Portin Manati nuk është radioaktiv. Është kryesisht ujë i kripur i bashkuar me ujin e përpunuar dhe ujin e mbledhur nga shirat dhe bora. Ai është brenda cilësisë për ujërat detarë, përveç sasisë së fosforit dhe azotit."

Ambientalistët thonë se sasia e lartë e azotit në ujë, që vjen si pasojë e vendndodhjes pranë një fabrike të vjetër të fosfatit, mund të rezultojë vdekjeprurëse për peshqit e zonës.

Nga rezervuari po shkarkohen mbi 80 mijë litra ujë për minutë por autoritetet paralajmërojnë se baseni ka kapacitetin të lëshojë mbi 120 milionë litra brenda disa minutave, që mund të mbulonin kilometra të tërë me mbi 1 m e gjysmë ujë.