Rama premton ujë 24 orë e zero taksa, Meta: Sa më pak biznesmenë në Parlament

Mungesa e ujit të pijshëm thuajse në të gjithë Shqipërinë në shekullin e 21 është cilësuar një absurditet i madh.

Madje me këtë premtim tetë vite më para socialistët kërkuan mbështetjen për të qeverisur vendin.

Sërish, pas 8 vitesh në pushtet kryeministri Rama ka kërkuar një tjetër mandat

Taksa për biznesin e vogël, tha ai në diskutim me krerët e pushtetit vendor dhe biznesmenë të Lezhës, është zero ndaj kërkoi votën në 25 prill që të mbesë e tillë.

Rama: Është në investim që në sasi është shumë i konsiderueshëm, një investim 20 milionë euro për ujin e pijshëm. Më vjen mirë që më në fund këto do të jenë zgjedhjet e fundit që do të flitet për ujë, sepse brenda vitit 2022 me të gjitha investime që kemi bërë dhe po bëjmë, mbi 110 kantiere në gjithë vendin, do të kemi të gjitha zonat urbane dhe më të populluar rreth zonave urbane 24 orë ujë të pijshëm. E vetmja zonë që mund të mos përfundojë në 2022, por do të përfundojë në 2023 është Tirana, sepse është zona që ka problematikën më të madhe dhe më komplekse për furnizimin me ujë të pijshëm

Në një vend ku biznesi deri në 140 mijë dollarë xhiro, nuk paguan asnjë tatim mbi fitimin, pra e ka taksën zero, mundtë themi me plot gojën që është mbështetja më serioze dhe më afatgjatë që një qeveri i jep një biznesi. Nuk është një masë pandemike, por do të jetë aty deri në 2029 me PS. Nëse do të ndryshojë kjo, atëherë unë nuk mund ta di si do jetë. Sa kohë që do jetë PS në krye të vendit, biznesi i vogël nuk do të paguajë taksa, asnjë taksë mbi fitimin. Biznesi me mbi 100 mijë dollarë xhiro nuk do të paguajë TVSH dhe këtë nuk e ka asnjë vend i rajonit. Nuk do të flasim për Europën se janë taksat ku e ku më të larta se sa në rajon.

Vaksinat ndaj covidit do të jenë një temë e gjatë në fushat, ndaj Rama u shpreh se shpejt do të nisë shpërndarja masive e dozave.

Rama: Ndihma tjetër për biznesin është vaksinimi, ka filluar, jam shumë shpresëplotë që është e afërt dita ku do të kemi një sasi të konsiderueshëm vaksinash, që të nisim vaksinimin masiv, me synimin që sezoni turistik i ardhshëm të jetë i hapur dhe pa rreziqe. Vaksina është sëpatë që këput zinxhirin e infektimeve. Nëse bëjmë një vaksinim masiv në mars, prill, maj dhe fillim të qershorit, do të kemi një sezon veror ndryshe nga ai i vjetshmi. Me vaksinimin për bluzat e bardha dhe të moshuarve mbi 80 vjeç ka nisur një proces mbrojtje. Për ta këputur zinxhirin do të kalojmë në një tjetër stad, një tjetër sasi nga pikëpamja e volumit. Nga volumet e deritanishme procesi do të jetë më e ngadaltë. Shpresojmë t‘ia dalim, kjo është ëndrra që më le pa gjumë për momentin, se si të sigurojmë sasinë e vaksinave për virusin vrasës.

Jashtë vëmendjes së tij nuk mbetën as thumbimet politike.

Ndaj tij Meta u përgjigj nga Korça, ku i pa shoqëruar nga truproja ndaloi fillimisht në Maliq e më pas në mësonjëtoren e parë shqipe.

Meta: Nuk kam asnjë koment për asnjë parti. Por ju lutem sa më shumë pedagogë dhe pedagoge, të rinj të arsimuar, sa më pas biznesmenë në Parlament. Jo se kam ndonjë gjë me biznesmenët, por është shumë e rëndësishme që në Parlament të ketë njerëz me integritet, figura të ndritura që e gjithë shoqëria të përfaqësohet siç e meriton në Kuvendin e Shqipërisë. Është një moment kyç për të ardhmen e vend dhe e dimë që kryekushti është çështja e zgjedhjeve. Është një test që do ta kalojmë me hir dhe me pahir.

Lexo edhe: “Zgjedhjet e fundit që do të flitet për ujë” Rama nga Lezha: Brenda 2022 furnizim 24 orë, Tirana zonë komplekse

Figurat e reja në PS, reagon Meta: Sa më pak biznesmenë në Parlament, moment kyç për të ardhmen e vendit