“Mbetemi gjithmonë nxënës...” Kryemadhi uron 7 marsin: I përulem mësuesve të mi

Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi ka uruar mësuesit me rastin e festës së 7 marsit.

Kryemadhi është shprehur mirënjohëse ndaj tyre, teksa shton se i përulet misionit të shenjtë të tyre.

“Mbetemi gjithmonë nxënës...!

Jemi gjithmonë nxënës, ndaj dhe në 7 Mars nuk mund të harrojmë kurrë se kush kanë qenë ata, që na mësuan, na futën në botën e madhe të librit, të dijes dhe të edukatës së mirë.

Mirënjohja është gjithmonë një fjalë e pamjaftueshme për të përmbledhur atë gjithçka të madhe, që mësuesit bënë me ne.

Misionarët e të mirës, që kanë festën e tyre sot më 7 Mars, na mësuan të mbetemi nxënës përjetë, të jemi modest, të jemi të duruar siç kanë qenë ata të duruar me ne, për të na mësuar dhe për të kuptuar se të mësuarit nuk ndalet, siç nuk ndalet jeta.

I përulem mësuesve të mi, i përulem misionit tuaj të shenjtë dhe mbetem gjithmonë nxënësja juaj”, shkruan Kryemadhi.