Nëntë majmunë vaksinohen kundër Covid-19 në një kopsht zoologjik
Në SHBA janë vaksinuar nëntë majmunë të mëdhenj në një kopsht zoologjik në Kaliforni, duke u bërë kështu organizmat e parë jonjerëzorë që marrin dozën kundër koronavirusit.
Zyrtarët në San Diego thanë se katër orangutangë dhe pesë bonobos morën vaksinën, në javët e fundit.
Kafshëve iu injektuan nga dy doza të një vaksine eksperimentale, nga kompania farmaceutike veterinare Zoetis, të prodhuar fillimisht për qen dhe mace, tha zëdhënësja e kopshtit zoologjik, Darla Davis, për agjencinë e lajmeve Reuters.
Vaksinat u miratuan pasi tetë gorilla në një tjetër kopsht të San Diegos u infektuan me koronavirus në janar.
Rasti shënoi transmetimin e parë të njohur të virusit te majmunët e mëdhenj.
Virusi mendohet se u transmetua nga një punonjës i kopshtit, i infektuar me COVID-19. Ekspertët shprehen të shqetësuar, pasi gorillat janë një specie në rrezik të cilët 98.4% të ADN-së së tyre e kanë njësoj me njerëzit.
Një vit pas shpërthimit të pandemisë, Shtetet e Bashkuara mbeten vendi më i prekur në botë, me mbi 28 milionë të infektuar dhe mbi 520,000 viktima.