Mjeku: Vaksinat nuk janë një bonus që mund ta shpërndajmë me faza

I ftuar ditën e sotme në emisionin "Ditë e Re" në RTV Ora ishte mjeku epidemiolog, Fabian Cenko i cili foli për situatën e krijuar nga pandemia e Covid-19 gjithashtu nuk la pa përmendur dhe procesin e vaksinimit në Shqipëri.


Cenko shprehet se nëse Shqipëria do të ketë të gjitha dozat që nevojiten për të vaksinuar qytetarët atëhere autoritetet përkatëse duhet të administrojnë mirë procesin. Sipas tij vaksina duhet të bëhet sa më shpejt pasi vetëm kështu mund të ndërpritet transmetimi i Covid-19.

"Ne sot për të marrë 10 mijë vaksina, ne presin 2-3 javë, por nëse supozojmë se kjo situatë do të përmirësohet, supozojmë që numri i vaksinave që po futen në treg do rritet por dhe masat e prodhimit të tyre do të jenë akoma më të bollshme. Le të supozojmë që këto vaksina do të vihen në dispozicion. Elementi i dytë është, administrimi i këtyre vaksinave.

Krijimi i atij rrjeti logjistik i cili lejon që një numër i tillë personash të vaksinohen çdo ditë. Ajo që të gjithë ekspertët sugjerojnë është se në momentin që një vend merr një sasi vaksinash të caktuara duhet të përpiqet që ti administrojë ato vaksina në kohën më të shkurtër. Në momentin që vaksinat janë të disponueshme duhet të administrohen në mënyrë rrufe, sa më të shpejtë.

Vaksinat duhet të bëhen sa më shpejt, vaksinat nuk janë një bonus të cilën mund ta shpërndajmë me faza që për të marrë dhe respektin e publikut. Vaksina është një mënyrë efikase e mbrojtjes së personit e cila sa më shpejt të bëhet aq më shpejt ata persona i nxjerrim nga grupi i personave të ndjeshëm. Ndihmojmë në mbrojtjen e tyre dhe në rolin që ata kanë për të ndërprerë transmetimin"- thotë ai.