Vaksinimi anti-Covid/ Serbia në Top 10 e botës, Shqipëria në fund
“140 shtete, ndër të cilat edhe shtete të rajonit tonë, nuk kanë marrë ende asnjë doze vaksine, ndërkohë që ne vazhdojmë vaksinimin e bluzave të bardha dhe të të moshuarve në shtëpitë e kujdesit shtetëror, si edhe personelit në shërbim të tyre”.
Kështu do të shprehej para pak ditësh kryeministri Edi Rama, i cili përmes një postimi në rrjetet sociale njoftonte vaksinimin e të gjithë mjekëve dhe infermierëve brenda muajit mars.
Por të dhënat më të fundit nga faqe të specializuara ndërkombëtare, që ndjekin procesin e vaksinimit në çdo vend të botës, Shqipëria rënditet në vendet e fundit sa i përket numrit të vaksinimit anti-Covid për 100 banorë.
Sipas faqes "Ourworldindata", deri më 18 Shkurt Shqipëria numëronte 0.11 doza për 100 banorë. Greqia numëron 5.56 për 100 banorë, Italia 5.69 dhe Serbia që është shumë përpara me 14.5.
Serbia është në Top 10 e botës pasi qeveria e Beogradit është përpjekur të marrë vaksina nga të gjithë ofruesit. Prandaj në Serbi janë në dispozicion prej disa javësh jo vetëm vaksinat e Pfizer/Biontech, por edhe vaksina ruse "Sputnik V" dhe vaksina kineze Sinopharm.
Po ashtu ndryshe nga shumë vende të tjera, qytetarët e Serbisë mund të zgjedhin se çfarë vaksine dëshirojnë të bëjnë.
Izraeli është shteti i parë në botë me gati gjysmën e popullsisë tashmë të vaksinuar, ndërsa në Top 10 bën pjesë edhe SHBA apo Mbretëria e Bashkuar.



Ditën e djeshme Shqipëria nisi dje edhe vaksinimin e personaliteteve mbi 80 vjeç, veprim i qeverisë që ka shkaktuar jo pak debate mes qytetarëve që akuzojnë për diferencim mes qytetarëve.
Ndërsa kujtojmë se në fillim të shkurtit në Shqipëri mbërritën 1.170 dozat e para të vaksinave kundër COVID-19 nga kontrata me kompaninë Pfizer.
Shqipëria filloi zyrtarisht më 11 janar fushatën e vaksinimit kundër koronavirusit fillimisht me personelin shëndetësor, sipas autoriteteve me vaksina të dhuruara nga një vend i Bashkimit Evropian.
Sipas autoriteteve, Shqipëria ka siguruar doza të vaksinës kundër COVID-19 për 800 mijë qytetarë nëpërmjet kontratës së drejtpërdrejtë me kompaninë Pfizer dhe mekanizmit të COVAX-it.
Lexo edhe:
Përveç personaliteteve/ 82 mijë të moshuar mbi 80 vjeç në Shqipëri, sa po vaksinohen?
Sa i përket shifrave të pandemisë në vendin tonë, ditën e djeshme u regjistruan 1184 raste të reja dhe 13 viktima.
Vetëm përgjatë javës së tretë të shkurtit janë regjistruar 111 vdekje dhe mbi 7 mijë infektime.
Në total, nga nisja e pandemisë e deri më sot, Shqipëria numëron 100,246 të infektuar dhe 1666 viktima.
Lexo edhe:
COVID-19/ Spitalet plot, 13 viktima dhe mbi 1100 raste të reja në 24 orë