Hong-Kong arrestohen 47 aktivistë, protestuesit kërkojnë lirimin e tyre

Arrestimi i 47 aktivistëve dhe politikanëve nxori të hënën në rrugë qindra qytetarë të Hong-Kongut.

Protestat u organizuan para gjykatës, ku personat u akuzuan për tentativën e rrëzimit të qeverisë.

Opozitarët që lobojnë për më shumë demokraci në rajonin gjysmë-autonom kinez, u ndaluan nga policia për shkak të garës partiake që mbajtën vitin e kaluar, për të testuar veten para zgjedhjeve reale.

"Duhet të dalim prapë në protesta. T'i themi botës se kemi për ta vijuar luftën për liri, demokraci dhe drejtësi," tha Alexandra Wong, aktiviste pro demokracisë.

"Të akuzosh me komplot për rrëzim qeverie dikë që merr pjesë në një proces zgjedhor tregon se qeveria e Hong-Kongut po shkon te standardet e qeverisë kineze për shtypjen e kampit opozitar."

Ligji për sigurinë kombëtare i miratuar qershorin e shkuar ka vënë nën akuzë disa nga kundërshtarët e regjimit pro-kinez në Hong-Kong.

SHBA-ja dhe fuqi të tjera perëndimore kanë bërë thirrje për lirimin e të akuzuarve, ndërsa Pekini e ka konsideruar këtë, ndërhyrje në çështjet e brendshme.

"Kina është një vend ku sundon ligji dhe Hong-Kongu po ashtu është një shoqëri me ligje, ku askush nuk qëndron mbi të. I kërkojmë SHBA-së të respektojë faktet, sistemin ligjor, të ndalë me çdo mënyrë ndërhyrjet në punët e Hong-Kongut dhe të mos ndërhyjë në çështjet e brendshme të Kinës," deklaroi Ministria e Jashtme kineze.