Irani, kushte për paktin atomik: SHBA të ndryshojë politikën e presionit maksimal

Irani refuzon hapat diplomatikë për marrëveshjen atomike dhe kërkon angazhim konkret nga Amerika.

Teherani deklaroi të dielën se nuk do të ulet ne tryeza me palët dhe nuk do i respektojë zotimet e marra në 2015-ën, për sa kohë është peng i sanksioneve ekonomike amerikane.

"Duke marrë parasysh veprimet dhe deklaratat e fundit nga Shtetet e Bashkuara dhe nga fuqitë evropiane, nuk mendojmë se kjo është koha për takime informale. Administrata e presidentit Joe biden duhet më së pari të ndryshojë politikën e presionit maksimal që aplikoi Donald Trump kundrejt Teheranit," deklaroi Ministria e Jashtme iraniane.

Takimin mes vendeve nënshkruese e kërkoi ditë më parë Bashkimi Evropian.

Qëllimi ishte ulja e tensioneve SHBA-Iran që vazhdojnë prej 2018-ës kur Uashingtoni hoqi dorë nga marrëveshja për limitimin e armëve atomike.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë në fundjavë tha se tërheqja e Teheranit është zhgënjyese, por pala amerikane i qëndron zgjidhjeve diplomatike.