“Sporti në ditët më të errëta” Bezhani: Kushtet janë mizerabël, e para herë në Shqipëri që s’ka as drejtori
Viron Bezhani në një intervistë për Ora News ka folur më gjerësisht për prezantimin e programit të LSI për sportin në vendin tonë.
Bezhani është ndalur te fakti që sporti është në ditët e tij më të errëta, ndërsa shton se është hera e parë që në Shqipëri nuk ka një drejtori që merret me këto problematika.
Bezhani: Padyshim që sporti është në ditët më të zeza të tij dhe kjo nuk është politike, por është nga fusha që unë e kam drejtuar deri më sot. Kam qenë president i Komitetit Olimpik, jam akoma dhe sporti është në ditët më të errëta. Nëse mund të mendojmë me të vërtetë jo vetëm për sportin, por për rininë, ndryshimin e kësaj rinie në një rini aktive, duhet patjetër që të vlerësohen në maksimum sporti. Këtu gjej rastin të falënderoj Monika Kryemadhin dhe Petrit Vasilin që me të vërtetë po mundohen t’i japim sportit vendin që i takon.
Në tërësi është në ditët më të errëta sporti?
Bezhani: Në të gjitha. Sportit i mungon gjithçka, është degjeneruar dhe mund të themi pafrikë që po mundohen disa njerëz që ta mbajnë gjallë këtë sport. Sepse unë i kam shëtitur të gjitha federatat nëpër aktivitete dhe kushtet janë mizerabël. Është me të vërtetë për të ardhur keq. Deri dje federatat kishin fond sa për të mbajtur frymën gjallë, ndërkohë që fondi ka ardhur gjithmonë duke u zvogëluar. Ajo që është më e turpshmja është që nuk ka as ministri. Nuk funksionon asgjë. Është e para herë në Shqipëri që nuk ka një drejtori sporti, pra nuk ka njerëz përgjegjës që të merren me këtë problem.
Intervista në studio për gazetaren Matilda Mcini, përgatiti për online Tea Islamaj.