Biden shpalos vizionin para aleatëve: SHBA, plotësisht e përkushtuar ndaj NATO-s

Presidenti i SHBA Joe Biden shpalosi të premten një kontrast të mprehtë me politikën e jashtme të paraardhësit të tij Donald Trump, duke premtuar t'i japë fund diplomacisë në formë biznesi dhe ta verë theksin tek demokracia në vend të autokratizmit.

Presidenti Biden e përdori paraqitjen e tij të parë të madhe në skenën globale - një "vizitë virtuale" në Evropë - për të rikthyer Shtetet e Bashkuara si lojtar i një ekipi shumëpalësh, pas katër vitesh të politikave të ndjekura nga zoti Trump me moton “Amerika e Para.

Më pas ai mbajti një fjalim në një seancë online të Konferencës së Sigurisë në Mynih, e cila zakonisht mbledh udhëheqës kryesorë të botës.

Presidenti Biden tha se Shtetet e Bashkuara janë plotësisht të përkushtuara ndaj NATO-s dhe parimit të saj se një sulm ndaj një anëtari të aleancës është sulm ndaj të gjithëve.

"Unë e mirëpres investimin tuaj në aftësitë ushtarake që mundësojnë mbrojtjen tonë të përbashkët," tha Biden.

Në fjalimin e tij, Biden nxori në pah kontrastin me politikën e jashtme të praktikuar nga paraardhësi i tij Trump, i cili i zemëroi aleatët duke prishur marrëveshje globale dhe duke kërcënuar t'i jepte fund ndihmës për mbrojtjen nëse aleatët nuk i përmbaheshin politikës së tij.

Biden tha se zyrtarët amerikanë po kryejnë një rishikim gjithëpërfshirës të stacionimeve të tyre ushtarake në të gjithë botën, por shtoi se ka anuluar urdhrat për tërheqjen e trupave amerikane nga Gjermania - një vendim tjetër i administratës Trump që i kishte shqetësuar aleatët.

Përveç kësaj, zoti Biden tha se kishte hequr kufirin e vendosur nga administrata e mëparshme për numrin e forcave amerikane që mund të stacionoheshin në Gjermani.

"Partneritetet tona kanë qëndruar të forta dhe janë rritur ndër vite, sepse ato janë të rrënjosura në pasurinë e vlerave tona të përbashkëta demokratike. Ato nuk janë diçka që trajtohen si biznes, nuk janë për të nxjerrë përfitime. Ato janë të ndërtuara mbi një vizion të së ardhmes, ku çdo zë ka rëndësi," tha ai.

Ai paralajmëroi gjithashtu se progresi demokratik është nën sulm, si në SHBA ashtu edhe në Evropë.

Biden erdhi në takimin virtual me disa angazhime: një premtim prej 4 miliardë dollarësh në mbështetje të përpjekjeve globale për vaksinimin ndaj koronavirusit, rikthimi i Shteteve të Bashkuara në marrëveshjen e Parisit për klimën, dhe mundësia e një projekti shpenzimesh prej gati 2 trilionë dollarësh për të mbështetur ekonominë e SHBA dhe ato globale.

Biden nënvizoi se demokracitë, jo autokracitë, ofrojnë rrugën më të mirë për botën, ndërkohë që trazirat e 6 janarit në Kapitol nga ana e protestuesve pro-Trump treguan se sa e brishtë mund të jetë demokracia.

"Demokracia nuk ndodh rastësisht. Ne duhet ta mbrojmë atë. Forcojeni atë. Përtërijeni atë. Duhet të provojmë se modeli ynë nuk është një relike e historisë," tha Biden.

Presidenti Biden u takua të premten me video konferencë me udhëheqësit e G7 nga Britania, Franca, Gjermania, Italia, Kanadaja dhe Japonia. Ai ka në plan të takohet përsëri me ta personalisht në një samit të organizuar këtë verë nga Britania, thanë zyrtarët.