SHBA, gati t'i kthehet marrëveshjes atomike me Iranin

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë përsëritur se janë të gatshme t'i rikthehen marrëveshjes bërthamore me Iranin.

Në vitin 2018, qeveria e shkuar e ish-presidentit, Donald Trump, vendosi të dalë njëanshmërisht nga traktati që kufizon aftësitë e Teheranit për të prodhuar armë atomike.

Trump e justifikoi atëherë vendimin me arsyen se iranianët po shkelnin zotimet, por të enjten, Sekretari i Shtetit, Antony Blinken, u deklaroi partnerëve nga Britania, Franca dhe Gjermania se Uashingtoni mund të ndryshojë qëndrim.

"Nëse Irani i kthehet zotimeve strikte të ndërmarra sipas marrëveshjes, edhe Shtetet e Bashkuara do të veprojnë njësoj dhe janë gati të hyjnë në bisedime me Iranin," theksuan 4 vendet në një deklaratë të përbashkët.

"Ne duam të ulemi bashkë, t'i japim hov diplomacisë dhe të gjejmë rrugëzgjidhje. Respektimi i detyrimeve nga ana e Iranit ka rëndësinë absolute, por edhe ulja e SHBA-së në bisedime do e bënte marrëdhënien më të qëndrueshme," reagoi ministri i Jashtëm britanik, Dominic Raab.

Irani e ka pranuar se prej muajsh i ka shkelur premtimet e dhëna në 2015-ën për sa i përket zotërimit të lëndëve burimore bërthamore, dhe ka kërkuar të çlirohet nga masat ndëshkimore ekonomike përpara se të ndërrojë sjellje.

Teherani i ka lënë Uashingtonit javën e ardhshme si afat përfundimtar për heqjen e sanksioneve.

Vendi thotë se ndryshe do të limitojë aksesin e Agjencisë Ndërkombëtare për Energji Atomike në vend dhe do e vazhdojë programin e vet bërthamor, që këmbëngul se po e ndjek vetëm për qëllime paqësore.