Grusht shteti në Mianmar/ Përshkallëzohen protestat, policia përdor armë
Forcat policore kanë qëlluar me armë zjarri në ajër në përpjekje për të shpërndarë dhjetëra mijëra protestues në Mianmar. Protestuesit kundërshtojnë marrjen e pushteti nga ushtria. Mediet ndërkombëtare raportojnë se policia ka përdorur edhe topa uji dhe plumba gome ndaj protestuesve.
Të hënë e kaluar u krye grushti i shtetit, ndërsa kjo e martë shënon ditën e katërt e protestave masive. Në fillim ishte një frikë ndër qytetarë për të protestuar, por më pas grupe të mëdha njerëzish kanë dalë në rrugë, pavarësisht paralajmërimit nga ana e ushtrisë se do të ndërmarrë veprime kundër protestave që kërcënojnë “stabilitetin” e vendit.
Menjëherë pas marrjes së pushtetit, ushtria vendosi gjendjen e jashtëzakonshme dhe krijoi një juntë udhëheqëse ushtarake, që e ka qeverisur Mianmarin për thuajse 5 dekadat e shkuara.
Thirrje për lirimin e të burgosurve politikë kanë ardhur si nga protestuesit birmanezë, po ashtu edhe nga liderët perëndimorë. Ishte vetë presidenti amerikan Joe Biden që kërkoi që ushtria të lërë pushtetin ndaj qeverisë së nobelistet Suu Kyi, e cila fitoi me votë.
Të hënën në fjalimin e parë të tij që nga marrja e pushtetit, gjenerali Min Aung Hlaing këmbënguli se marrja e pushtetit është i arsyeshëm për shkak të "mashtrimit të votuesve". Ai akuzoi Komisionin Zgjedhor se ka dështuar të hetojë parregullsitë mbi listat e votuesve në zgjedhjet e nëntorit 2020.