Mianmari përshkallëzon protestat kundër "diktaturës", protestuesit me tre gishta lart kundër ushtrisë

Po rritet revolta popullore kundër grushtit ushtarak në Mianmar, dhe ajo ka nisur të shfaqet përditë me protesta në qytetet e mëdha të vendit. Komuniteti ndërkombëtar i ka bërë thirrje ushtrisë të dorëzojë pushtetin dhe të mos i shtypë protestat qytetare.

Mijëra qytetarë marshuan sërish të dielën në Mianmar, për të kërkuar largimin e ushtrisë të ardhur me forcë në pushtet dhe lirimin e lidershipit të mëparshëm.

Me gjithë masat për të frenuar mobilizimin popullor duke bllokuar internetin, banorët u bënë bashkë në qytetin e madh të Jangonit.

Në duar mbanin fotot e kryeqeveritares së arrestuar, Aun San Su Çi, ndërsa me parullat për demokraci dhe me tre gishtat lart denoncuan simbolikisht diktaturën e re.

"Është e padrejtë kjo që po ndodh. Duhet të ngrihemi si popull. Nuk e pranojmë diktaturën ushtarake në 2021-in sepse nuk duam të kthehet ajo e 1988-ës."

"Nuk është akoma një grevë e përgjithshme por njerëzit, studentët po na bashkohen gradualisht. Kemi vendosur të luftojmë deri në fund me jetën, për brezin tonë."

Mianmari dhe rreth 50 milionë banorët e tij gjenden para skenarit të grushtit ushtarak, pasi partia e opozitës ku ushtria militon, arrestoi krerët e qeverisë dhe presidentin e vendit me arsyen e manipulimit të zgjedhjeve të fundit parlamentare.

Kryeqeveritarja Sun Çi me partinë e saj mori mbi 80 për qind të votave në muajin nëntor dhe ka mbështetjen brenda dhe jashtë vendit.

Mianmari tentoi tranzicionin drejt demokracisë në 2011-n, pasi ushtria birmane e kishte mbajtur pushtetin për gati 50 vitet e kaluara.