Hetimi për origjinën e virusit, ekspertët e OBSH-së vizitojnë tregun e gjësë së gjallë Huanan
Vazhdon pa surpriza hetimi i ekspertëve të OBSh-së në Uhan të Kinës në kërkim të origjinës së koronavirusit. Misioni i tyre po ndiqet rreptësisht nga autoritetet ndërsa kontaktet me gazetarët janë ndaluar. Të dielën ekipi vizitoi një treg të gjësë së gjallë, në të cilin dyshohet se virusi kaloi nga kafshët tek njeriu.
Një grup ekspertësh të Organizatës Botërore të Shëndetësisë që po hetojnë origjinën e Covid-19 vizituan të dielën një treg të gjësë së gjallë në Wuhan të Kinës, me të cilin u lidhën rastet e parë të infektimit nga virusi një vit më parë.
Ekspertët u lejuan të vizitojnë tregun Huanan, i cili është fortifikuar që vitin e kaluar. Misioni i ekspertëve të OBSh-së i vonuar nga Kina dhe i ngarkuar me presione politik, synon të zbulojë se si virusi kaloi nga kafshët tek njeriu.
Por me punën e bërë deri më tani në terren deri në këtë fazë, Organizata Botërore e Shëndetësisë thotë se nuk ka ndonjë shpresë të gjejë burimin e virusit, që deri më tani ka vrarë mbi dy milionë vetë dhe ka shkatërruar ekonominë globale.
Vizita në tregun Huanan u ndoq nga afër dhe rreptësisht nga autoritetet kineze, që nuk lanë as gazetarët të afroheshin.
Gjatë këtyre ditëve në Wuhan, ekspertët e OBSh-së kanë përdorur Twitter-in për të komunikuar rreth punës së tyre. Punonjësit e sigurisë u kujdesën gjithashtu t’i largojnë gazetarët.
Më herët gazeta shtetërore Global Times publikoi një lajm që e nënvlerëson rolin e tregut Huanan si epiqendrën e virusit, duke cituar se hetimet e autoriteteve kineze kanë zbuluar se ai nuk ishte burimi i infeksionit.
Deri më sot propaganda kineze është përpjekur të ndryshojë narrativën e pandemisë, duke nënvizuar vazhdimisht heroizmin dhe vendosmërinë e Pekinit zyrtar për të luftuar pandeminë dhe ringjallur ekonominë. Leftion Peristeri