Biden dhe Putin zhvillojnë bisedën e parë telefonike
Presidenti amerikan, Xho Bajden, i ka kërkuar shpjegime Rusisë për një sërë pretendimesh që lidhen me sigurinë e SHBA-së dhe më gjerë.
Diferencën në politikën e jashtme me paraardhësin e tij, Donald Tramp, demokrati e tregoi të martën një javë pas marrjes së detyrës.
Në telefonatën që pati me homologun rus, Vladimir Putin, Bajdeni përsëriti shqetësimin e shërbimeve inteligjente dhe aktorëve politikë amerikanë për dyshimet se Kremlini mund të jetë përfshirë në dy zgjedhjet e fundit presidenciale në SHBA, duke manipuluar elektoratin.
Telefonata u përqendrua edhe te tema, si sulmet kibernetike ndaj agjencive amerikane nga ana e Kremlinit, pozitat e kundërta ndaj Ukrainës, sqarimi i raportimeve se Rusia kërkonte vrasjen e ushtarëve amerikanë në Afganistan, si edhe helmimi i kryeopozitarit rus, Aleksei Navalni.
Në njoftimin për shtyp, presidenca amerikane njoftoi se Bajdeni ia bëri të qartë homologut Putin se SHBA-ja është gati të mbrojë interesat kombëtare dhe aleatët e saj nga veprimet ruse.
Megjithatë, palët u zotuan për bashkëpunim të mëvonshëm, që pritet ta konkretizojnë më 5 shkurt kur do të firmosin zgjatjen me 5 vite të tjera të traktatit për çarmatosjen bërthamore.
Me të përfunduar telefonatën, kreu i Shtëpisë së Bardhë iu rikthye të martën punëve të brendshme.
Ai firmosi dekrete të tjera presidenciale për të adresuar shkallën e racizmit në vend, paralajmëroi reformë në sistemin gjyqësor penal, ndërsa për pandeminë tha se SHBA-ja ka porositur 200 milionë doza shtesë duke e çuar në 600 milionë sasinë e vaksinave kundër koronavirusit, për të imunizuar të 300 milionë banorët e vendit.