Qeveria Conte mbijeton, siguron besimin në Senat me 156 vota pro: Italia nuk ka kohë për të humbur!
Qeveria Conte 2 merr votëbesimin në Dhomën e Senatit. Nga 320 parlamentarë të dhomës së Senatit morën pjesë në votime 312.
Me 156 vota pro, 140 kundër e 16 abstenim, senatorët italianë vendosën që ekzekutivi i Kryeministrit italian të vazhdojë punën.
Pas një dite të gjatë parlamentare me debate të forta politike, Kryeministri italian mundi të sigurojë minimumin relativ të votave nga 161 që është numri maksimal i mundshëm për një mazhorancë të konsoliduar qeverisëse.
Në fjalën përballë senatorëve italianë, kryeministri Giuseppe Conte ilustroi punën e kryer gjatë këtyre muajve nga qeveria e tij, e bazuar në 29 pikat e axhendës politike me të cilën u impenjua kur pranoi të qeverisë vendin për herë të dytë.
E për krizën e hapur qeverisëse, kryeminstri Conte fajësoi partinë "Italia Viva" të Matteo Renzit si përgjegjëse të kësaj krize politike të paprecedentë.
"Zgjodhët rrugën e akuzave dhe sulmeve mediatike, rrugën jo legale të mosbashkëpunimit, e kjo nuk është mënyra më e mirë për të ndihmuar vendin", u shpreh ai, duke nënvizuar se ai e qeveria e tij nuk i kanë mbyllur asnjëherë dyert e dialogut me asnjë forcë politike e mbi të gjitha me ministrat e Italia Viva të cilët i konsideronte ndër më të mirët në skuadrën e tij.
"Është në rrezik e ardhmja e fëmijëve tanë e kriza e qeverisë nuk shërben"u shpreh ai, duke mos pranuar kritikat mbi përballimin e emergjencës pandemike, pasi sipas tij asnjë Kryeministër italian e asnjë krahasim historik e politik i Republikës parlamentare italian ka jetuar "ajo çka po jeton qeveria Conte2."
Akuza të forta politike erdhën gjatë kësaj dite nga ish-lideri i Partisë Demokratike, ish-kryeministri italian Matteo Renzi, njëherësh lider i "Italia Viva" i cili kërkoi dorëheqjen e Contes si përgjegjës i një tragjedie që po jeton vendi, "i cili meriton një drejtim të fortë."
Forca opozitare Fratelli D' Italia e cilësoi Giuseppe Conten "si një humbës i sukseshëm, humbës në zgjedhje, humbës në qeverisjen me Salvinin e humbës sot me Matteo Renzin.
"Italia është vendi i parë në botë për vdekjet nga Covid e i pari në botë për rënien ekonomike" tha në fjalën e tij lideri i forcës opozitare Lidhja, Matteo Salvini, i cili akuzoj kryeministrin Conte se në orët para votës ndoqi strategjinë e dënueshme ligjërisht të shitblerjes së votave.
"Po kërkoni bashkëpunëtorë," u shpreh në një postim në facebook lideri i Partisë Demokratike Nicola Zingareti.