Moti i keq në Kosovë, reshjet sjellin përmbytje në disa rajone, Hoti premton kompensim
Moti i keq i ditëve të fundit ka sjellë përmbytje në disa rajone në Kosovës, ku edhe brenda qendrave të banuara nivel i ujit arriti nivelin e rrezikshëm. Qeveria ka nisur menjëherë verifikimin e dëmeve për të kompensuar dëmet. Sipas parashikimeve reshje të dendura pritet të ketë edhe gjatë ditëve në vazhdim.
Reshjet e dendura të ditëve të fundit kanë shkaktuar përmbytje në disa rajone të Kosovës.
Sipas Institutit Hidrometodologjik, sasia e reshjeve është më intensive në rajonin e Dukagjinit.
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti, tha se do të evidentohen dëmet që janë shkaktuar nga përmbytjet, në mënyrë që të kompensohen qytetarët.
"Po mundohemi të marrim masat e nevojshme për të shpëtuar së pari jetën e qytetarëve, për t’i evituar dëmet madhore në infrastrukturë, në mënyrë që të mos mbesin lokacionet e bllokuara për qarkullim normal. Përmes shtabeve lokale, do të evidentojmë së shpejti dëmet që janë bërë edhe në pronën publike dhe private. Dëmet që janë bërë në prona private do t’i shohim maksimalisht, në përputhje me kapacitetet që kemi, edhe komisionet përkatëse, që të kompensojnë, në veçanti ato familje që janë në kushte pak më të vështira të jetesës", tha Hoti.
Sipas parashikimeve reshje të dendura pritet të ketë edhe gjatë ditëve në vazhdim.
Ndërkaq, Ministria e Infrastrukturës u ka bërë thirrje qytetarëve që të kenë kujdes në rrugët kombëtare.
Njoftohet se në rajonin e Gjilanit, është bllokuar rruga në drejtimin Kamenicë-Strezovc, ndërsa në rrugën Brezovicë - Sharr ka dy pengesa, në të cilat është ndërhyrë nga ekipet e mirëmbajtjes.
Kryeministri në detyrë, Hoti tha se është në komunikim të vazhdueshëm edhe me komandantin e KFOR-it, Gjeneral-majorin, Franco Federici, i cili ka shprehur gatishmërinë për të ndihmuar.