Skenari i shkarkimit të Trump-it, demokratët paraqesin të hënën kërkesën formale
Pushteti presidencial në Amerikë mund t'i kalojë zv.presidentit Majk Pens nëse kreu në detyrë i shtetit, Donald Tramp, do të rrezikonte transferimin paqësor të pushtetit te demokratët. Të hënën, këta pritet të kërkojnë shkarkimin e presidentit 10 ditë para se ai të ikë zyrtarisht.
Presidenti amerikan, Donald Tramp, rrezikon shkarkimin nga detyra nëse ai do të ndërmerrte veprime që do të destabilizonin SHBA-në.
Sipas agjencisë së lajmeve, "CNN", burimet pranë zv.presidentit, Majk Pens, i druhen skenarit që kreu i shtetit të krijojë vështirësi në dorëzimin e pushtetit më 20 janar.
Në këtë rast, zv.presidenti republikan do të kërkonte ta merrte ai detyrën deri në ardhjen e presidentit të zgjedhur, Xho Bajden.
Pas protestës së 6 janarit kur simpatizantët e Trampit hynë me dhunë në Kongres, vetë Pensi ishte detyruar të strehohej me familjen në bunkerin e posaçëm të godinës.
Sipas burimeve pranë tij, presidenti Tramp nuk e kishte telefonuar për situatën dhe as i kishte dënuar deklaratat e protestuesve se ai duhej varur nëse do e certifikonte fitoren e Bajdenit.
Edhe Sekretari i Shtetit, Majk Pompeo, dhe ai i Thesarit, Stivën Menuçin, raportohet se diskutuan mundësinë e shkarkimit të tij, por përfundimisht u tërhoqën pasi procesi i shkarkimit do të zgjaste më shumë sesa koha që i ka mbetur presidentit në pushtet.
Ndërkohë, të hënën, ligjvënësit demokratë pritet formalisht të paraqitin kërkesën për largimin e shefit aktual të Shtëpisë së Bardhë me arsyet se ka abuzuar me pushtetin dhe nxiti turmat të rebelohen kundër shtetit.
Trampi ende nuk e ka pranuar humbjen e zgjedhjeve presidenciale të 3 nëntorit ndaj rivalit, Bajden, dhe këmbëngul se iu vodhën votat.
Këto pretendime janë hedhur poshtë nga gjykatat amerikane dhe këtë javë u refuzuan edhe nga Kongresi, i cili certifikoi fitoren e demokratit Bajden.