BE ka ankesa për ritmin e vaksinimit: Ngërçi nuk lidhet me porositë, por me prodhimin

Një javë pasi nisën ditët e vaksinimit, vendet e Bashkimit Europian kanë nisur të kritikojnë administrimin e procesit, shpërndarjen dhe prokurimin e vonuar të vaksinave. Pas "Fajzerit", në ditët që vijnë, BE-ja pritet të miratojë edhe vaksinën amerikane të "Modernas".

Vendet e Bashkimit Europian e kanë nisur prej një jave fushatën e vaksinimit kundër koronavirusit, por shumë prej tyre tani po ankohen se shpërndarja e vaksinave po zgjat në kohë.

Sipas komisioneres së BE-së për shëndetësinë, ngërçi nuk lidhet shumë me sasinë e vaksinave të porositura, sesa me kapacitetet e prodhimit të tyre.

27 vendet anëtare tani po përdorin dozat e kompanisë amerikane "Pfizer" dhe gjermanes "BioNTech" pasi ato janë të vetmet që ka marrë miratimin zyrtar.

Nga Belgjika mësohet se disa vende të BE-së kanë shprehur rezerva për përzgjedhjen që në fillim të "Pfizer"-it, për shkak të çmimit për dozë dhe teknologjisë mbi të cilën bazohet.

Edhe pse detajet e kontratës mbeten sekrete, raportohet se një dozë e kësaj vaksine i kushton BE-së rreth 12 euro, 15 euro kushton vaksina e kompanisë tjetër amerikane, "Moderna", ndërsa ajo e britanikes "AstraZeneca"-s dhe Universitetit të Oksfordit, është më e lira, 1,78 euro.

BE-ja thotë se nga prodhuesit kryesorë janë porositur një total prej më shumë se dy miliardë dozash, që janë më se të mjaftueshme për të vaksinuar të 450 milionë banorët e unionit, dhe pjesa tjetër do të ndahet me vendet e interesuara për to.

Në botë janë imunizuar mbi 12 milionë persona nga infeksioni i kovidit-19.

Kina dhe SHBA-ja rezultojnë me gati 4 milionë e gjysmë të vaksinuar secila, por Izraeli kryeson, ndërkaq, për sa i përket numrit të për banor, me gati 13 të vaksinuar në çdo 100 persona.

Listës europiane e kryeson Britania me imunizimin e rreth 1 milion banorëve, Gjermania afro 200 mijë të vaksinuar, dhe Italia me më shumë se 70 mijë vaksinime brenda javës.

Skepticizmi për kurën ndaj koronavirusit vazhdon të jetë më i larti në Francë, ku më pak se 500 persona mësohet se i janë nënshtruar vaksinimit në javën e fundit.

BE-ja pritet t'i japë aprovimin përdorimit të vaksinës së "Moderna"-s në ditët që vijnë dhe disa javë më vonë dritën jeshile pritet ta marrë edhe vaksina e Oksfordit.

Të dielën, vaksinën e Oksfordit e përqafoi edhe India, sikundër edhe vaksinën e re të kompanisë indiane "Bharat Biotech".

Kontinenti me 1,3 miliard banorë shpreson të vaksinojë 300 milionë persona këtë vit, nga sëmundja infektive që atje ka vrarë gati 150 mijë njerëz.