Irani synon ta pasurojë uraniumin deri në 20 për qind

Irani planifikon të pasurojë vetitë radioaktive të uraniumit në shkelje të marrëveshjes ndërkombëtare antibërthamore të pesë viteve më parë.

Teherani njoftoi agjencinë e OKB-së për Energjinë Atomike se do të nisë të shumëfishojë sasinë e uraniumit me veti të larta eksplozive nga 4 në 20 për qind.

Sasia pretendohet se do të shfrytëzohet për qëllime studimi në reaktorë të nëndheshëm, kur më herët ishte zotuar se uraniumi i pastër nuk do të pasurohej më shumë se 4 për qind. 

Vendimi i republikës islamike vjen si kundërpërgjigje ndaj sanksioneve amerikane por edhe ndaj vrasjes së kryeshkencëtarit që mendohet se po ideonte programin atomik të vendit.

Irani thotë se atentati ndaj Mohsen Fakrizadehut u krye nga Izraeli me shërbimin e vet informativ.

Marrëveshja e 2015-ës e lidhur mes SHBA-së, Iranit, Kinës, Francës, Gjermanisë, Rusisë dhe Britanisë parashikon heqjen e sanksioneve në këmbim të kufizimit të programit atomik.

SHBA-ja u largua prej saj në 2018-n me arsyen se Teherani nuk po i përmbahej zotimeve.

Edhe Gjermania tani mendon se pakti i vjetër duhet ndryshuar për të limituar, ndër të tjera, edhe programin iranian për raketat balistike.

Qëndrimet për rishikimin e marrëveshjes i ka hedhur poshtë Teherani, duke theksuar se nuk ka hapësira për rinegocimin e traktatit të shkuar.