Përpjekja e fundit e republikanëve, 11 senatorë kërkojnë hetim për manipulimet në zgjedhje
Senatorët republikanë në Amerikë pritet të bëjnë një përpjekje të fundit për të kontestuar humbjen e presidentit Donald Tramp. Kongresi do mblidhet të mërkurën për të certifikuar rezultatin e 3 nëntorit.
11 senatorë republikanë pritet të mërkurën të mos e pranojnë humbjen e presidentit amerikan, Donald Tramp, në zgjedhjet e 3 nëntorit.
Përfaqësuesi i Teksasit, Ted Kruz, Ron Xhonsoni i Uiskonsinit, Marsha Blekbërn e shtetit të Tenesit dhe 8 kolegët e tyre njoftuan se do të kërkojnë një hetim urgjent 10-ditor për të hedhur dritë mbi pretendimet e palës në pushtet se votat u manipuluan.
Të tilla pretendime të ngritura nga ekipi elektoral i presidentit, janë hedhur poshtë nga gjykatat.
"Më 6 janar, ne do të votojmë kundër nëse nuk vërtetohet se rezultati në shtetet e kontestuara është i rregullt dhe i ligjshëm," specifikuan 11 senatorët në deklaratën për shtyp.
Megjithatë, nisma e tyre për të bllokuar certifikimin e zgjedhjeve pritet të dështojë pasi shumica e kongresmenëve janë të mendimit se zgjedhjet qenë të rregullta dhe demokratike.
Kolegji Zgjedhor vendosi në dhjetor t'ia japë fitoren ish-zv.presidentit Xho Bajden pasi ai siguroi 306 vota elektorale kundrejt 232 votave që mori presidenti Tramp.
Vetë shefi i Shtëpisë së Bardhë ende nuk e ka pranuar humbjen ndaj rivalit demokrat, dhe ngul këmbë se ai do i fitonte zgjedhjet nëse pala tjetër nuk do ta kishte ndryshuar rezultatin nëpërmjet manipulimeve elektronike apo fletëvotimeve të hedhura me postë disa javë përpara zgjedhjeve.
Bajdeni pritet më 20 janar që të bëjë betimin për marrjen e zyrës më të lartë të Amerikës.