Ngritja e Gjykatës Kushtetuese, Braho: Ka një sërë shkeljesh ligjore që mund të shkaktojnë probleme në vendimmarrje
Gjykata Kushtetuese, pas emërimit të dy anëtarëve të rinj të saj, Altin Binaj dhe Përparim Kalo, konsiderohet funksionale për të nisur procesin e vlerësimit të dosjeve në kompetencë.
I ftuar në një intervistë për RTV Ora juristi, Ledio Braho, tha se ka një sërë shkeljesh ligjore që mund të shkaktojnë probleme në vendimmarrjet e Gjykatës Kushtetuese në të ardhmen.
Ledio Braho për RTV Ora: Ka një sërë shkeljesh ligjore në emërimin e dy gjyqtarëve të fundit dhe ka të bëjë me faktin që si Parlamenti ashtu dhe Presidenti nuk i emëruan gjyqtarët nga lista me 3 anëtarë por në rastin e Kuvendit ishte vetëm një anëtar ndërkohë që në rastin e Presidentit ishte lista dy nga të cilat Presidenti zgjodhi 1. Ligji për Gjykatën Kushtetuese është i qartë në dispozitat e tij që duhet të ketë të paktën 3 kandidatë. KED duhet të kualifikonte dhe të rendiste së paku 3 kandidatë. Kjo mund të shndërrohet në një problem për të ardhmen. Sepse Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut ka marrë një vendim që gjykon si gjykatë të paformuar me ligj rastin kur gjyqtarët zgjidhen në kundërshtim me ligjin.
Ai tregoi rastet kur Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut mund të shpallë Gjykatën Kushtetuese si shkelëse të procesit ligjor.
Ledio Braho për RTV Ora: Dhe është një rast që ka të bëjë me gjykatën e apelit në Islandë kur një gjyqtar është zgjedhur në kundërshtim me ligjin që parashikonte në atë kohë. Dhe kjo nga GJEDNJ është konsideruar si shkelje e procesit ligjor. Kështu që e njëjta problematikë mund të ndodhë dhe në rastin e emërimeve të dy gjyqtarëve të fundit të Gjykatës Kushtetuese. Sepse nëse njëra nga palët që nuk do jetë e kënaqur me vendimin e GJK do ti drejtohet GJEDNJ mund të ngrejë dhe problemin e gjykatës së pa krijuar me ligj dhe shkelës së parimit të procesit ligjor. Dhe më tej mund te jetë një shteg i hapur për të sjellë problematika në të ardhmen. Sepse nëse GJK konsiderohet e tillë kjo do sjellë probleme për të gjitha vendimmarrjet që do të marrë kjo Gjykatë për sa kohë është me 6 apo 7 anëtar në momentin që pjesë e trupës gjykuese do jenë këta gjyqtarë.
Intervistoi Besmira Pelushaj, përgatiti për online E.P