Fshati Picar pa ujë e drita, ankohen banorët: Asnjë nuk po vë një pikë
Drita dhe ujë 24 orë, janë disa nga premtimet më të dëgjuara prej vitit 2000. Por po aq shqetësime janë ngritur nga pjesa më e madhe e fshatrave të Shqipërisë. Picari në Gjirokastër është një prej tyre.
Banorët atje thonë se kanë ndërprerje të herë pas hershme me energjinë elektrike.
Banori: Dritat priten shumë herë, gjithë fshatin dhe ditën dhe natën.
Uji është tjetër problem. Në rubintët e banorëve të fshatit shkon vetëm 3 orë në ditë, dhe Bashkia e Gjirokastrës e drejtuar nga Flamur Golemi nuk ka marrë asnjë masë.
Banori: Probleme ka shumë me fshatin, sidomos uji, e kemi me orar 3 orë në ditë.
Edhe rrugët janë problem, ndaj banorët thonë se duhet ndërhyrë menjëherë.
Banori: Problem është xhadeja dhe dritat kryesore të qendrës së fshatit.
Banori: Rrugët e fshatit nëpër lagje pothuajse janë të pambaruara, ndriçimi mungon, ka problematika që asjnë nuk po vë një pikë.
Fshati Picar me rreth 500 banorë ndodhet vetëm 5 kilometra larg rrugës nacionale Gjirokastër-Tepelenë, ndërsa banorët e fshatrave të Gjirokastrës kanë denoncuar herë pas here probleme që nuk kanë gjetur zgjidhje nga Bashkia.