Rama i uron Krishtlindjen stafit të Infektivit: Mjekët do vaksinohen të parët, godina do rindërtohet

Dozat e para të vaksinës në Shqipëri do të vijnë në fillim të vitit të ardhshëm. Dozat e para do të jenë të dedikuara për mjekët. Kryeministri Edi Rama gjatë vizitës në spitalin ku po kurohen pacientët me koronavirus, shprehet se po punohet për ngritjen e një godine të re për Infektivin.

Me lulen simbol të Krishtlindjes, e njohur si Poinsettia, kryeministri Rama, i shoqëruar dhe nga Ministrja Manastirliu,  mori sot rrugën drejt Infektivit për tu uruar Krishtlindjen stafit mjekësor në vijën e parë të frontit me Covid që edhe sot ishin në punë.

"Shumë respekte të gjithëve. Ja që ndodhi ajo që ndodh njëherë në 100 vjet, është mbi shpatullat tuaja dhe mesa duket do të kaloni me shumë sukses" u shpreh Rama.

Me zbritjen e kurbës së infektimit me koronavirus dhe kthimit në normalitet, qeveria ka menduar për një godinë të re për sëmundjet infektive.

Rama: Kjo godina do ta mbyllë në mënyrë të lavdishme misionin e vet sepse pas kësaj lufte do të bëhet godina e re.

Manastirliu: Po dhe lajmi është ky, me miratimin e kredisë së Bankës Botërore tashmë Infektivi ëhstë përfshirë në planin tonë për tu rindërtuar me standardet më të mira. Vitin tjetër duke shpresuar shumë që të mos kemi këtë kurbën e madhe dhe të mos kemi këtë përballjen me infeksionet e rritura sepse dhe vaksina që presim të vijë në fillim të vitit që vjen patjetër që do të lehtësojë por kjo nuk do të thotë që nuk do ta kemi armikun e padukshëm prezent. Do të duhet të vijojmë kujdesin, maskën, distancën derisa të kthehemi në normalitet.

Rama: Mbyllja e luftës do të jetë me ceremoni, profesoresha me profesor Tritanin, të dy me sustat në dorë, për ti vënë dinamitin dhe për të filluar ndërtimin e kësaj pjesë që është nga pjesët e fundit të gjithë rindërtimit të QSUT.

Kryeministri zbuloi se kush do t’i marrë dozat e para të vaksinës, që qeveria uron t’i sigurojë në fillim të 2021.

Me urimin e Krishltindjes, Rama i la mjekët që të vijojnë punën e tyre në shërbim të të sëmurëve të shtruar në këtë spital.

https://youtu.be/3tT2l68J-9E