E hodhi armën e zjarrit në depozitën me ujë, arrestohet 19 vjeçari që qëlloi në ajër gjatë konfliktit mes të rinjve në Korçë

Qetësia e atmosfera e Krishtlindjes u prish nga  breshëria e të shtënave me armë zjarri në Korçë. Autori, Emiljano Sali, u arrestua disa orë më pas, ndërsa automatikun që mbante pa leje në makinë e kishte hedhur në një depozitë uji.

Ky është Emiljano Sali, 19 vjeçari që prishi me të shtëna armë zjarri qetësinë dhe atmosferën e Krishtilindjes në Korçë.

19-vjeçari u kap disa orë pas ngjarjes nga ku u largua me një makinë luksoze, ndërsa automatikun kallashnikov pa leje që mbantë aty e kishte hedhur në një depozitë uji.

Emiljano Sali  qëlloi të paktën 5 herë në ajër në lagjen 17 të qytetit juglindor, pas një konflikti me të rinj të tjerë, duke shkaktuar panik mes banorëve.

Paraprakisht policia foli për një sherr me motive banale mes të rinjve por që përshkallëzoi me breshëri automatiku.

Ngjarja që fatmirësisht përfundoi pa pasoja, rikonfirmon alarmin për të rinj që lëvizin të armatosur dhe nuk ngurojnë të shkrehin armët në mes të zonave të banuara ku mund të prodhojnë tragjedi.

https://youtu.be/R7zJxY0xAYM

16:32: Policia gjen armën tip kallashnikov në depozitën e ujit

'Shtetasi E.S, u kap nga forcat e policisë në lagjen nr. 9, Korçë, me mjetin tip "Benz", i cili për t'iu shmangur përgjegjësisë ligjore, kishte hedhur armën e zjarrit tip automatike, që dyshohet se përdori në ngjarje, në një depozitë uji', thuhet në njoftimin e policisë

15:50: Arrestohet autori i dyshuar, Emiljano Sali 19 vjeç

'Shërbimet e Komisariatit të Policisë Korçë, në vijim të punës për zbardhjen dhe dokumentimin e ngjarjes së ndodhur ditën e sotme në lagjen nr. 17, Korçë, si edhe nga informacione të siguruara në rrugë policore, bënë të mundur kapjen dhe arrestimin në flagrancë të shtetasit E. S., 19 vjeç, banues në Korçë.' njofton policia

15:51: Gjendet dhe makina me të cilën u largua.

11:23 Policia në vendngjarrje kontrollon pamjet filmike

"Më datë 25.12.2020, rreth orës 10:15, në lagjen nr. 17, Korçë, shtetasi E. S., 19 vjeç, dyshohet se pas një konflikti të çastit me dy persona të tjerë, ka qëlluar me armë zjarri në ajër dhe më pas është larguar me shpejtësi. Pas marrjes së informacionit menjëherë në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e policisë. Grupi hetimor po grumbullon prova që do t'i shërbejnë hetimit, po kqyr pamjet filmike dhe po punon për kapjen e autorit të dyshuar si dhe sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes." njofton policia.

11:09 Një grua thotë për Ora News se kanë qenë katër të rinj me një makinë të bardhë.

"Ikën me vrap, hipën në makinë që të iknin. Ishin katër të rinj.Thërrisnin brenda makinës "hajde të ikim". Makina ishte e bardhë."

10:47 Të shtëna me armë zjarri në ajër janë regjistruar mëngjesin e sotëm në Korçë.

Në vendngjarje janë gjetur 5 gëzhoja kallashnikovi. Denoncimi në polici është bërë nga banorët e lagjes që kanë dëgjuar të shtënat.