Zv.presidenti amerikan kryen vaksinën: Mrekulli mjekësore, fillimi i fundit të Covid
Zv. Presidenti amerikan Mike Pence ka bërë vaksinën kundra koronavirusit këtë të premte, publikisht, përpara medieve. "Ndërtimi i besimit te vaksina është ajo që na sjell këtu këtë mëngjes," tha zv. Presidenti, ndërsa e ndoqi më pas bashkëshortja dhe një gjeneral amerikan.
Zv.Presidenti amerikan Mike Pence ka bërë vaksinën e koronavirusit drejtpërdrejt ne televizion, këtë të premte, duke i thënë audiencës dhe mjekeve: "Nuk ndjeva asgjë".
Shtëpia e Bardhë tha se qëllimi i kësaj lëvizjeje është që "të promovoje sigurinë dhe efikasitetin e vaksinës dhe të ndërtojë besimin tek populli amerikan".
Në vijim ishte bashkëshortja e zv.Presidentit Pence dhe Gjenerali Jerome Adams që gjithashtu u vaksinuan live.
Të hënën Shtetet e Bashkuara të Amerikës filluan përdorimin e vaksinës Pfizer / BioNTech kundër virusit Covid 19. Studimet e bëra publike nga institutet amerikane bëjnë me dije se vaksina e miratuar nga Administrata e Ushqimit dhe Barnave ofron deri ne 95% mbrojtje kundër Covid-19.
Tre milion dozat e para po shpërndahen ndërkaq anekënd 50 shteteve amerikane dhe qytetarët do të vaksinohen në bazë të përparësisë. Ndërkohë, një vaksinë e dytë, e zhvilluar nga Moderna, është gjithashtu pranë marrjes se miratimit. Ndërsa Pence po bënte vaksinën, presidenti Trump shkroi ne Tëitter se vaksina Moderna "u miratua me shumicë dërrmuese" dhe kërkoi që "shpërndarja të fillojë menjëherë".
Edhe zv.Presidenti Pence reagoi për vaksinën e firmës Moderna duke thënë se "Populli amerikan të jetë i sigurtë - ne kemi një dhe mbase brenda disa orësh dy vaksina të sigurta", tha Pence, duke iu referuar miratimit të pritur të Administratës së Ushqimit dhe Barnave për vaksinat e Modernas.
"Ndërtimi i besimit te vaksina është ajo që na sjell këtu këtë mëngjes," shtoi ai.
Administrata e Presidentit Donald Trump ka ndihmuar ne përshpejtimin e procesit për shpikjen e një vaksine kundër koronavirusit dhe gjithashtu është përgatitur një operacion i gjerë, i titulluar “Warp Speed” për të ndihmuar zhvillimin dhe shpërndarjen e shpejtë të vaksinave.
Më shumë se 310,000 njerëz kanë humbur jetën nga koronavirusi në SH.B.A., ku janë regjistruar më shume infeksione dhe viktima se në çdo vend tjetër. Në të gjithë botën, për shkak të pandemisë, deri këtë të premte 1.67 milion kanë humbur jetën, ndërkohë që janë rreth 75.5 milionë të infektuar.
/a.r,OraNews