Festa në izolim/ Covid-19 fut në karantinë Holandën për 5 javë
Numri i lartë i infektimeve po i detyron qeveritë europiane të vendosin izolim të ri para Krishtlindjes. Holanda vendosi izolim pesëjavor, ndërsa Gjermania, Italia, Spanja dhe Franca po bëhen gati të reduktojnë gjithashtu lëvizjet para festave. Në lidhje me vaksinën, Agjencia Europiane e Barnave do të japë një vendim më 21 dhjetor.
Disa vende europiane po shtrëngojnë masat para Krishtlindjes pas rritjes së shpejtë të numrit të të infektuarve të rinj javët e fundit. Holanda hyri zyrtarisht në një izolim pesëjavor, duke mbyllur dyqanet, teatrot dhe palestrat.
"Izolimi nuk është zgjidhje, por zbatimi i masave ekzistuese dhe sidomos mbajtja e maskës apo të ndalohet grumbullimi i njerëzve nëpër qendra tregtare," thotë biznesmeni Safa Dawody.
Gjermania hyn në izolim të plotë nga e mërkura për shkak të numrit shumë të lartë të infektimeve. Franca hoqi disa masa, por një pjesë e kufizimeve mbeten në fuqi për shkak të normës së lartë të infektimeve. Italia, Spanja, Franca dhe Mbretëria e Bashkuar janë midis vendeve më të goditur nga pandemia.
Javët e fundit, qeveritë janë vënë përpara një prove të vështirë për të hequr apo jo kufizimet para Krishtlindjes, por gjendja e rëndë ka bërë që të ndryshojnë mendim.
Europianët janë ende duke pritur vaksinat, që tashmë po përdoren në Britani dhe në ShBA. Agjencia Europiane e Barnave lajmëroi se vendimi për përdorimin e vaksinës së prodhuar nga Pfizer-BioNTech do të merret më 21 dhjetor. Më parë ishte menduar që vendimi të merrej më 29 dhjetor
Presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen e mirëpriti lajmin dhe tha se vaksinimi mund të fillojë para fundit të vitit.