"Koha që të shërohemi" Biden i drejtohet kombit amerikan pas konfirmimit të fitores
Më 14 dhjetor presidenti i zgjedhur, Joe Biden disa orë pasi Kolegji Zgjedhor bëri zyrtare fitoren e tij kundrejt presidentit, Donald Trump, deklaroi se “mbizotëroi shteti ligjor, Kushtetuta dhe vullneti i popullit”.
Biden ka arritur të sigurojë 302 vota nga 270 të nevojshme që të shpallet president i 46 i Shteteve të Bashkuara, ndërsa Trump ka arritur të fitojë 232 vota.
"Flaka e demokracisë u ndez në këtë komb shumë kohë më parë. Dhe ne tani nuk na ndal asgjë, madje as një pandemi ose abuzim të pushtetit, nuk mund ta shuajnë atë flakë”-tha Biden.
Gjatë një fjalimi ditën e hënë në Delaware, Biden dënoi ashpër përpjekjet flagrante të Trumpit për të ndryshuar realitetin.
Ai përmendi dështimet e fushatës së Trumpit dhe aleatëve të tij në gjykatat shtetërore e federale dhe legjislaturat e shtetit si dhe rinumërimet që nuk kanë ndryshuar thelbësisht rezultatin. Demokrati i cilësoi përpjekjet e Trumpit dhe mbështetësve të tij për të përdorur gjykatat që të përmbysin rezultatin e zgjedhjeve “aq ekstreme sa nuk i kemi parë kurrë më parë”.
Votat e Kolegjit Zgjedhor tani do të dërgohen në Kongres për t’u numëruar zyrtarisht muajin tjetër.
Biden gjithashtu deklaroi se tani kishte ardhur koha që “kthehet faqja, për t’u bashkuar, për t’u shëruar”.
“Në këtë betejë për shpirtin e Amerikës, demokracia mbizotëroi. Ne njerëzit votuam. Besimi në institucionet tona të mbajtura. Integriteti i zgjedhjeve tona mbetet i paprekur. Dhe kështu, tani është koha të kthejmë faqen. Të bashkohemi drejt sukseseve. Të shërohemi”- tha ai.
Me një postim në Twitter, presidenti Tramp përsëriti edhe të martën akuzat se rezultati i zgjedhjeve të 3 nëntorit u ndryshua nga makineritë elektronike që numëruan votat.
Kreu në ikje i Shtëpisë së Bardhë njoftoi largimin e shefit të Departamentit të Drejtësisë, Uilliam Bar, i cili nuk i kishte qëndruar në krah për deklaratat mbi parregullsitë në zgjedhje.
Ndërkohë, qeveria demokrate pritet të marrë detyrën më 20 janar kur Bajdeni pritet të bëjë betimin si president i Amerikës.