Vrasja e Xhuljo Prelës/ Efektivi u sinjalizua me elektrik dore nga një person, policia gjen tre gëzhojat

Pjetër Gavoçi, nga Kosmaçi i Shkodrës është personi i fundit që ka takuar efektivin e Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë, Xhulio Prelën, i cili mbeti i vrarë me një plumb në gjoks në orët e para të mëngjesit të së shtunës.

Gavoçi, i afërm i Xhulio Prelës, i kishte kërkuar të dilte ta priste pas mesnate në aeroportin e Rinasit, dhe ta transportonte në fshatin Kosmaç sepse, sipas tij, efektiv i policisë nuk kishte probleme për të lëvizur gjatë orës policore. Gavoçi thotë se pasi kanë mbërritur në Kosmaç, Prela ka thënë se duhej të kthehej në Tiranë, sepse kishte lënë vetëm të fejuarën.

Sipas hetimeve paraprake, gjatë kthimit, në aksin Lezhë-Milot, efektivi Prela është sinjalizuar me dritë me elektrik dore nga një person që kishte ndaluar makinën dhe ishte anës rrugës. Sipas dinamikës së ngjarjes, hetuesit mendojnë se Prela e ka njohur personin dhe ka kthyer makinën e ka ulur xhamin. Efektivi i ndërhyrjes së Shpejtë është qëlluar ndërsa ka kërkuar të largohet, dhe këtë e tregojnë edhe provat në vendngjarje. Oficerët kanë sekuestruar tre gëzhoja të dala nga një pistolet TT, teksa makina dhe trupi i pajetë jane gjetur gati 300 metra më larg.

Hetimet tregojnë se Prela s’ka pasur mundësi ta përdorë armën e punës, ndërsa në telefonin e viktimës, janë gjendur të fshira të gjitha komunikimet që ai ka kryer me Pjetër Gavoçin.

Grupi hetimor ka dyshime se ngjarja nuk ka lidhje me detyrën e Xhulio Prelës, por me një konflikt të disa viteve më parë, ku efektivi është përfshirë në një rrahje fizike të një personi. Ky konflikt është në lupën e hetuesve të policisë së Lezhës. Deri më tani janë shoqëruar 15 shtetas në polici, por nuk ka asnjë person të arrestuar.