Cipa: Rikthimi i penalizimit të gazetarëve, regres, periudhë e zymtë për demokracinë
Kryetari i Unionit të Gazetarëve Aleksandër Çipa shpreh shqetësimin për ndryshimet në Kodin Penal sa i përket dënimit të shpifjes apo ndryshimeve në media.
Pyetje: Doja të pyesja në lidhje me ndryshimet në kodin penal përsa i përket edhe dënimeve për shpifjet apo për postimet e ndryshme në media. Sa e prek dhe sa e ve në trysni gazetarin, redaktorin apo këdo tjetër që do të publikojë një lajm dhe a do të ketë një reagim nga ana e unionit të gazetarëve në lidhje me kete ndryshim.
Aleksandër Çipa: Padyshim që po, më duhet të them që këto ndryshime nuk janë kaluar në një konsulencë me grupet e interesit, përfshirë edhe Unionin e Gazetarëve. Ne pasi të njihemi se si janë përcaktuar këto ndryshime në Kodin Penal, do të kemi reagimet tona. Ne nuk duam që të rikthehemi në historinë e shkuar të Shqipërisë problematike për lirinë e raportimit dhe sidomos për lirinë dhe pavarësinë e redaktive të shtypit dhe medias shqiptare në përgjithsi sepse rikthimi i penalizimit të gazetarëve dhe në mënyrë të veçantë, ndëshkimi i tyre përmes gjykatës penale është një kthim mbrapa. Është një periudhë e cila konsiderohet e zymtë për demokracinë dhe lirinë e fjalës në vendin tonë, kur gazetarët thirreshin nga gjykatat penale sikur ishin në pozitë të barabartë me elementët e tjerë kriminal të shoqerisë. Kjo është e refuzueshme dhe nuk mund të pranohet në asnjë mënyrë, por ne si organizatë dhe përsonalisht do të flasim kur të njihemi konkretisht me këto amendime që janë bërë në kodin Republikës së Shqipërisë .