Francë: Pezullimi i meshave katolike, "protesta" simbolike në disa rajone

Vendimi i qeverisë franceze për të pezulluar ceremonitë fetare për shkak të rrezikut të kovidit-19, është pritur me zemërim nga katolikët e disa rajoneve të Francës.

Qindra besimtarë të Bordosë u ulën të dielën në gjunjë para sheshit të katedrales së Shën-Andreut duke recituar uratat e lutjet e zakonshme.

Organizatorët u kujdesën që pjesëmarrësit e të gjitha moshave të respektonin masat antikovid, ndërsa forcat e policisë i vëzhgonin në distancë.

Mijëra besimtarë të tjerë në Strasburg, Marsejë, Tuluzë, në Nisë madje edhe në Versajë thanë se nëse nuk e rifitojnë të drejtën për të marrë pjesë në mesha, do e vazhdojnë protestën.

"Nuk ka kuptim të ndalohen meshat kur mbeten hapur transporti publik, supermarketet, ku dynden njerëzit. Në kisha, mund të vihen masa sanitare dhe të respektohen, ndryshe s'është e drejtë."

"Mua qeveria më duket si antiklerike, kristianofobe, kristofobe. Gëzojmë lirinë e të besuarit dhe duam ta ushtrojmë me të krishterët e tjerë, ballë për ballë."

"Pranë njëri-tjetrit ne na sjell trupi dhe gjaku i Krishtit, na forcon, na jep kurajë dhe gjithçka tjetër. Ky është besimi ynë dhe është i rëndësishëm."

Franca ka raportuar këtë vit më shumë se 2 milionë të infektuar nga koronavirusi i ri dhe gati 49 mijë francezë kanë rënë viktima të infeksionit.

Ndërsa numrat po priren të ulen me rimbylljen e vendit pak javë më parë, mësohet se më shumë se 95 për qind e reparteve të kujdesit intensiv janë të zëna.

Nga 30 tetori deri më 1 dhjetor, qytetarët lejohet të largohen nga banesat ose të udhëtojnë vetëm për arsye pune dhe urgjente, ose kundrejt një lejeje të lëshuar nga autoritetet shtetërore.

Baret, restorantet dhe palestrat besohet se do qëndrojnë mbyllur edhe gjatë dhjetorit.

Presidenti, Emanuel Makron pritet të shpallë të martën kohëzgjatjen e ndalimqarkullimit por edhe një lehtësim të mundshëm të masave për qytetarët për Krishtlindjet dhe festat e fundvitit.