"BOOM" - Tërmeti shkatërron shtëpinë e familjes Meçe, apeli prekës i nënës: Më ndihmoni me një punë që të rris fëmijët
Kadife Meçe është nëna e 5 fëmijëve. Jeta e familjes u vështirësua pas tërmetit që goditi vendin tonë në 26 nëntor 2019, pasi shtëpia ku banonin prej vitesh u shkatërrua plotësisht.
“Kam 5 fëmijë. Na u shemb shtëpia dhe nuk kishim ku të rrinim. Për disa kohë ndenjëm në një shtëpi që nuk kishte as drita dhe as tualet. Ishin shtëpitë e shtrenja dhe nuk ia arrija dot. Vetë jam papunë, burri me raste. Me një ndihmë ekonomike çfarë do bëjmë. Jetojmë me borxhe”, shprehet ajo.
E vetmja gjë që kërkon zonja e shtëpisë është një punë ku të fitojë të ardhura për fëmijët.
Kadife Meçe: Kërkoj të gjej një punë që të përballoj jetesën, kudo që të jetë, firmë për këpucë, rrobaqëpësi, pastruese.
Fëmijët kanë dëshira, por shpesh këto dëshira mbeten të parealizuara.
“Edhe unë si shoqet e mia kam shumë dëshira, por nuk i plotësoj dot për shkak të kushteve ekonomike të familjes time.
Shoqet vishen shumë mirë në shkollë, ndërsa unë me rrobat e të tjerëve. Do të doja që mami dhe babi të kenë punë, të kemi të ardhura të mira. Do të doja të kisha një shtëpi më të madhe dhe të ndihmoja prindërit”, kështu shprehen vajzat e familjes Meçe.