"Vjosa, jo diga", Leonardo Di Caprio poston sërish foto për mbrojtjen e lumit Vjosa
Aktori i njohur i Hollywood-it, Leonardo Di Caprio, i cili drejton prej kohësh një fondacion advokues për mbrojtjen e natyrës, ka përshëndetur vendimin e qeverisë shqiptare për mbrojtjen e lumit Vjosa nga digat e projekteve të shumta energjitike. Nëprmjet një postimi në Instagram, Di Caprio kritikon Bosnje Hercegovinën për mungesën e hapave ligjorë për të mbrojtur lumenjtë e Zemrës Blu.
“Ndërsa ne presim që Kryeministri Federal dhe qeveria e tij në Bosnjë dhe Hercegovinë të ndërmarrin hapa ligjore për të mbrojtur lumenjtë e Zemrës Blu të vendit nga shkatërrimi i mëtejshëm nga hidrocentralet e vogla, ka lajme shumë premtuese që vijnë nga Shqipëria. Në 25 Shtator, Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, njoftoi se projekti i digës Kalivaç u refuzua dhe se zona do të bëhet një park kombëtar.”
Duke e vlerësuar këtë vendim të Shqipërisë si një model për Strategjinë e Biodiversitetit brenda kornizës, aktori shprehet se Bosnje Hercegovina duhet të reflektojë.
Edhe më herët, Di Caprio, fitues i çmimit Oscar, është shprehur në mbrojtje të lumit Vjosë. Me më shumë se 37 milionë ndjekës në rrjetet sociale, postimi i tij u prit mjaft mirë edhe nga ekspertët e mjedisit në Shqipëri. Vëzhgimet shkencore kanë vërejtur në luginat e Vjosës rreth 177 specie që rrezikoheshin nga ndërtimet e hidrocentraleve.
