EKSKLUZIVE/ Mbi 300 intervista me dëshmitarë në Serbi? Ja si përgjigjet ish prokurori Special
Gjatë intervistës ekskluzive për RTV Ora, ish kryeprokurori i EULEX John Clint Williamson, i cili komentoi akt-akuzat e Gjykatës Speciale ndaj ish krerëve të UÇK, dha detaje interesante mbi mënyrën se si janë ngritur këto akt-akuza.
Sipas tij, shumica e intervistave të kryera janë zhvilluar në Kosovë dhe Serbi, ndërsa e përjashtoi si mundësi Shqipërinë.
Pjesë nga intervista:
Gazetarja Besmira Pelushaj: A është e vërtetë që ju keni zhvilluar mbi 300 intervista me dëshmitarë në Serbi?
John Clint Williamson: Ka pasur disa qindra intervista. Nuk e mbaj mend pasi kanë kaluar disa vjet që kur drejtova task forcën speciale të hetimit, por dua të them që ne zhvilluam me qindra intervista dhe pasuesit e mi dhe prokurorët e specializuar kanë zhvilluar edhe më shumë intervista. Ndaj nuk e di numrin e plotë, por në mos qindra mund të them se janë me mijëra intervistat e kryer.
Gazetarja Besmira Pelushaj: Kështu ka ndodhur edhe në Shqipëri dhe Kosovë?
John Clint Williamson: Padyshim një numër i madh intervistash janë realizuar në Kosovë. Unë nuk kam dijeni për Shqipërinë, nuk e di sa janë realizuar aty, por besoj se shumica janë realizuar në Kosovë dhe Serbi. Por di që ka pasur intervista me njerëz në mbarë Europën, në ShBA, në Kanada. Kanë ndodhur 20 vjet më parë dhe shumë njerëz që atëherë jetonin në Kosovë, shqiptarë apo serbë kanë lëvizur në vende të tjera. Disa shkuan në Gjermani, disa kanë shkuar në Zvicër, disa në Francë, në Mbretërinë e Bashkuar, në ShBA, Kanada. Pra intervistat janë zhvilluar në mbarë botën kudo ku këta individë janë identifikuar.