Covid-19/ Prodhohet vaksina e parë që ofron 90% mbrojtje

Një prej vaksinave kandidate kundër koronavirusit po del qartë në horizont. Bashkimi i firmave amerikane e gjermane Pfizer dhe BioNTech njoftuan se vaksina që po testohet prej tyre rezultoi 90 për qind efikase, shumë më mirë sesa pritej nga shumica e ekspertëve.

Përqindja e lartë e njerëzve të përfshirë në provat klinike që rezultojnë të mbrojtur nga koroanvirusi, i bëjnë gjetjet edhe më të plota. Më parë rregullatorët kishin deklaruar se do ta miratonin për përdorim masiv vaksinën nëse ajo rezultonte edhe 50 për qind efikase. Përmes një deklarate kompania tha se vaksina nuk shkakton efekte anësore serioze.

“Sot është një ditë e madhe për shkencën dhe njerëzimin. Pjesa e parë e rezultateve të fazës së tretë të testimit të vaksinës na jep të dhëna bindëse për aftësinë e vaksinës sonë për të parandaluar Covid-19,” tha Dr Albert Bourla, kryetar dhe drejtor ekzekutiv i Pfizer.

“Ne po arrijmë një pikë kyçe me programin tonë të zhvillimit të vaksinës në një kohë që e gjithë bota ka nevojë për të, e kur norma infektimeve është shumë e lartë apo spitalet janë të tejmbushur dhe ekonomitë janë në vështirësi për t’u rihapur,” shtoi ai.

Provat klinike për këtë vaksinë do të vazhdojnë dhe ekziston mundësia që përqindja e efikasitetit të ndryshojë, por lajmi i fundit pritet të sjellë shpesë për mjekët dhe udhëheqësit politikë për t’i dhënë fund pandemisë.

Faza e tretë e testimit të vaksinës që zhvillohet bashkërisht nga Pfizer dhe BioNTech përfshiu 43 mijë vetë. Kompania tha gjithashtu se njerëz me ngjyrë dhe të etnive të ndryshme rezultojnë të mbrojtur pas marrjes së vaksinës.

Të dhënat për provat klinike do të mblidhen deri në javën e tretë të nëntorit dhe më pas kompania do të aplikojë pranë autoriteteve për miratim. Dozat e para të kësaj vaksine do t’u jepen mjekëve dhe atyre që shërbejnë në spitale brenda fundit të këtij viti. Këtë vit kompania thotë se do të ketë gati rreth 50 milionë doza dhe vitin mbi 1.3 miliardë doza.