OBSH: Jemi lodhur nga Covid-19 por nuk duhet të dorëzohemi
Shtetet e mëdha europiane vazhdojnë të shënojnë rekorde ditore rastesh me Covid-19, si pasojë e defekteve në gjurmimin e të infektuarve.
Teksa në botë numërohen mbi 43 milionë persona që e kanë bartur një herë sëmundjen infektive, kontinenti europian po regjistron gati 50 për qind të rasteve të reja dhe ka kaluar pragun e 250 mijë viktimave gjithsej.
Kreu i OBSH-së, Tedros Adanom, apeloi që qeveritë dhe qytetarët të vazhdojnë të ndjekin këshillat për distancimin, maskat dhe higjienën për të minimizuar transmetimin e infeksionit.
"Pandemia na ka rënduar të gjithëve mendërisht dhe fizikisht: të punuarit nga shtëpia, të mësuarit në distancë, pamundësia për të ndarë arritjet personale me miqtë dhe familjen apo për t'i dhënë lamtumirën të dashurve. Jemi realisht të lodhur prej saj, por të mos dorëzohemi!"
Megjithëse OBSH apeloi për vetëkontroll përballë pandemisë, në Itali shpërthyen sërish të hënën protesta kundër ndalimqarkullimit dhe mbylljes së bar-restoranteve nga ora 18.
Në qytetet e mëdha si Roma apo Torinoja u hodhën mjete shpërthyese në drejtim të policisë, ndërsa në Milano e Napoli demonstruesit u shpërndanë me gaz lotsjellës.
Italia regjistroi të hënën 141 viktima të reja nga koronavirusi dhe tejmbushje të spitaleve rajonale.
Në Francën fqinje numri real i të infektuarve të rinj me kovid-19 mendohet se arrin në 100 mijë në ditë, ndërsa përpara një sfide të ngjashme, autoritetet belge kanë kërkuar nga mjekët e tyre të paraqiten në punë edhe nëse janë me simptoma të sëmundjes, pasi sistemi po kolapson.
Pas Gjermanisë dhe Çekisë që po humbasin kontrollin e infeksionit, situatë serioze po paraqet së fundmi Rusia me një rekord prej 320 jetësh të humbura nga koronavirusi në 24 orë.
SHBA-ja vazhdon të kryesojë për infeksionet ndërsa viktimat kanë kaluar shifrën 225 mijë.