Përplasjet Rama-Opozitë për "Specialen", Andoni: Aspak normale! Tirana e Prishtina të mbyllnin gojën
Në një intervistë për gazetarin Xhoi Malësia në RTV Ora, analisti Ben Andoni ka komentuar atë çfarë po ndodh në Kosovë pas zyrtarizimit të akt-akuzave të Gjykatës Speciale ndaj 4 prej ish-drejtuesve të UÇK-së dhe politikanët më të rëndësishëm në vend post-Pavarësisë dhe përplasjet në Tiranë mes Edi Ramës dhe opozitës sa i përket votimit të raportit të Dick Marty në vitin 2011.
Sipas Andonit, akuzat e Ramës ndaj kreut të opozitës Lulzim Basha janë aspak normale.
“Është aspak normale. Për çfarë mund të akuzohet sot zoti Basha është thuajse hipotetike sepse larg kësaj retorike, ku as ai nuk po bie më poshtë se zoti Rama, askush nuk mund të gjykohet për gjëra që të paktën kur ai vetë nuk ka qenë i përfshirë në politikë, nuk është akoma e provuar që me punën e përkthyesit të ketë dëmtuar kaq shumë. Të gjithë strukturat e huaja në Kosovë kanë punuar me grupe përkthyesish. Për gjëra kryesore, këta i kufizonin përkthyesit shqiptarë”, tha ndër të tjera Andoni.
Sipas analistit, Tirana dhe Prishtina duhej të bënin një gjë në këto momente: të mbyllnin gojën dhe të punonin për të ndihmuar të akuzuarit.
"Tirana në këto momente, gjënë më të mirë që do të bënte, gjithashtu edhe Prishtina, ishte të mbyllnin gojën dhe realisht të punonin me infrastrukturën e tyre ligjore, teknike dhe politike që ti ndihmonin”, u shpreh Ben Andoni.