Greva e urisë drejt mbylljes? Pas 42 ditëve, Rama do të përballet me naftëtarët të hënën. Paralajmërimi: Ngujohemi nëse…
E hëna mund të shënojë mbylljen e grevës së urisë së naftëtarëve pas 42 ditësh në ngujim fillimisht burrat e më pas gratë, për çështjen e pagave të prapambetura. Gratë naftëtare kanë pranuar të ndërpresin grevën dhe të ulen në negociata me Kryeministrin, i cili ka premtuar se do të jetë vetë atje. Por në rast dështimi të bisedimit, gratë thonë se do të vazhdojnë ngujimin për pagat e prapambetura të cilat janë kusht i panegociueshëm për qeverinë.
Pas 42 ditësh grevë urie, naftarët e Ballshit dhe kryeministri Edi Rama do të ulen në negociata të hënë për të arritur një zgjidhje.
Fillimisht kanë qenë gratë naftëtare ato që kanë deklaruar se do të bëjnë një hap pas për tu ulur në bisedime.
Gratë naftëtare të Ballshit kanë vendosur ta ndërpresin grevën e urisë, por me kushtin që kryeministri Edi Rama t’i japë zgjidhje çështjes së pagave të prapambetura.
"Do të negociojmë, do të dalim nga greva sikur edhe dy orë."
I menjëhershëm ishte reagimi kreut të qeverisë i cili në një postim e quajti grevën të mbyllur dhe u konfirmoi se do të jetë vetë përballë tyre.
Rama: Lajm shumë i mirë mbyllja e grevës në Ballsh! Më vjen keq për kaq shumë ditë mundim të panevojshëm, përderisa jo vetëm kemi qenë plotësisht të ndjeshëm ndaj hallit tuaj, po edhe të gatshëm ta qajmë hallin së bashku! Tani caktoni përfaqësinë dhe nesër do të jem vetë aty me ju.
Por naftëtaret sqaruan se ato janë gati të dalin vetëm për negociata. Në rast se Kryeministri dështon tu japë zgjidhje, thonë se do të rikthehen sërish në ngujim.
"Personalisht unë si njeri nuk kam rrugë tjetër."
Ndaj kreut të qeverisë i dërguan një mesazh të qartë para se të niset drejt Ballshit.
"Ne do të rrimë këtu, do ta presim Kryeministrin, të paktën tu çojmë bukë fëmijëve në shtëpi. Më shqip nuk ka."
Pagat e prapambetura të fituara me vendim gjykate, thonë se janë kusht i panegociueshëm për ta.
"Gjyqi është fituar ndaj ARMO-s, shteti ka qenë aksioner te kompania ARMO."
Janë rreth 900 punonjës të rafinerisë së Ballshit që prej vjeshtës së kaluar janë pa punë për shkak të mbylljes së uzinës, ndërsa kanë disa rroga të prapambetura pa marrë.
Në vazhdimësi ata kanë protestuar në Ballsh e Tiranë, ndërsa dy herë janë futur në grevë urie për të kërkuar vëmendjen e qeverisë.