Dëshmia në "Tempora": 3.9 milion lek të vjetra për të mbajtur në jetë pacienten e infektuar me Covid

Të kërkosh një dëshmi nga një qytetar që po kalon Covid 19 është krejt normale në një kohë kur e mbarë bota po vuan nga kjo pandemi.

Por në Shqipëri nuk qe aq e thjeshtë. Tempora prej ditësh është në kërkim të një rasti ku qytetarët të dëshmojnë me zë dhe figurë se sa u ka kushtuar një kurim nga Covid 19.

E të gjithë ishin të revoltuar mbi barrën e rëndë finaciare që po mbanin mbi kurriz për kurimin e tyre apo të afërmeve.

Gjetëm edhe nga ato raste që po përjetonin një situatë të rënduar për shkak të virusit, por kishin zgjedhur që kurimin ta kalonin në shtëpi dhe jo ti drejtohen spitaleve.

A mund të dëshmoni, a mund të dilni përballë kameras dhe të na rrefeni sa sa u ka kushtuar?

Përgjigjia ishte JO, nuk mundemi, kemi frikë.

Frikë nga se?! Pyetje sa e çuditshme aq dhe prekëse. Përgjigjia ishte kjo e që le shumë pak hapësirë për koment.

"Mirdita. Fola me atë kushërirën por nuk pranon, të isha unë direkt do të shkoja, nuk kam frikë asnjë, por ajo është e re dhe prindërit i ka po në shtet dhe bashkëshorti i saj nuk donte. Kanë frikë, janë mosbesues".

Tentativa jonë nuk u ndal, kërkuam gjatë dhe në fund arritëm të marrim një protokoll të ndjekur në shtëpi për një zonjë 64 vjeçare, familja e së cilës ka preferuar që ta kurojë në shtëpi dhe jo ta dërgojë në spital.

Nuk kanë besim ta çojnë në spitalin publik ndaj kanë marrë përsipër edhe koston e rëndë finaciare që duhet të paguajnë për kurimin e nënës së tyre.

Refuzojnë të hapin dyert dhe të flasin përballë kameras por na sjellin gjithë peripecitë që kanë hequr përgjatë gjithë kësaj përballje me virusin.

Kanë përcjellë për emisionin Tempora çdo lëvizje, çdo recetë, cdo peripeci që kanë hasur në këtë rrugëtim të vështirë me virusin.

Zonja është prekur nga Covid rreth 20 ditë më parë dhe ka kaluar një fazë të rëndë për rreth 14 ditë.

Gjithçka nisi me telefonimin e 127 por kërkesa për tampon u vonua 3-4 ditë shkruajnë familjarët, ndaj ata vendosin që tamponin ta kryejë në një spital privat, fatura shkon 12 mijë lek të reja.

Këtu nis dhe peripecia për kurimin e pacientit përmes recetës së parë. Pasi situata e pacientit nis dhe rëndohet, familjarët kërkojnë të kryejnë një skaner të spitalin shtetëror, kërkohet shumë ditë por koha nuk pret për të sëmurin, ndaj për ta kryer sa më shpejt ata vendosin të japin para nën dorë dhe të realizojnë skanerin.

Gjenda e zonjës 64 vjeçare fillon dhe rëndohet, familjarët nisin dhe alamohen. Kontaktojnë urgjencën dhe zgjidhja e vetme e tyre është dërgimi në spital i pacientit dhe jo kontrolli në shtëpi, familja refuzon.

Kontaktojnë me një mjek infeksionist dhe paguajnë nën dorë për shërbimin në banesë, fatura është e majme, 40 mijë lek të reja. Gjendja është e rëndë, mjeku sugjeron dërgimin në spital por familja refuzon.

Kërkohet oksigjen për zonjën dhe familja merr me qira aparaturën e oksigjenit, 80 euro vetëm për aparaturën, shto këtu dhe masat e oksigjenit që blinin vazhdimisht.

Kostot e recetës së dytë dhe natyrshëm recetës së tretë rriten ndjeshëm. 64-vjeçarja ka nevojë për analiza çdo ditë dhe çmimet duken të kripura sipas rrëfimit me shifra konkrete të familjarëve.

Në recetën e tretë një ilaç që nuk gjendej në treg, FAVIRA sigurohet përmes miqve, ku farmacistët thonë se është ilaç i palicensuar dhe kushton 300 euro.

Arrijnë dhe e sigurojnë, vizita dhe analizat në spitalin privat dhe shërbimi i tyre në shtëpi rëndon buxhetin e familjes, por nuk kanë rrugë tjetër, nuk besojnë në dërgimin e nënës së tyre në spitalin publik.

Situate shfaqet e njëjtë edhe pas recetës së 4, analizat, mjeku, shërbimi në shtëpi kanë çmime të larta, por familjarët na rrëfejnë se nuk kishin rrugë tjetër, duhet ta çojnë  në fund këtë përballje me virusin.

Fillon përmirësimi i gjendjes shëndetësore, zonjës i ndërpriten injeksionet por sërisht ka nevojë për kurë, të cilën e vijon ende sot.

Janë vetë familjarët që nëpërmjet kësaj letre drejtuar emisionit Tempora, pas kërkesës sonë, na kanë nisur gjithë rrugëtimin e vështirë të përballimit të kësaj sëmundje.

Janë 5 receta të shoqëruara me çmimet përkatëse, me faturat në spitalin privat, me mjekët dhe infermierët që shkonin në shtëpi, e cila kishte marrë pamjen e një minispitali.

Sot fatmirësisht situata e zonjës është e stabilizuar por fatura që kanë paguar familjarët vetëm për nënën shkon në 3.9 milion lek të vjetra nga dita e parë e deri më sot.

Fatura është edhe më e lartë pasi tashmë e prekur nga virusi është edhe vajza e zonjës, tamponin sigurisht e ka kryer në spitalin privat dhe po merr vetëm vitamina.

Edhe familjarët e tjerë që kanë shfaqur shenja kanë kryer tamponin ndërsa ata që skanë shenja kanë vendosur të kryejnë testin serologjik, e kostot shtohen e shtohen për këtë familje.

https://youtu.be/cVC6BoPjLQc