Ndotja e ajrit shkaktoi mbi 2 200 viktima në Shqipëri në një vit
Ajri i ndotur në vitin 2019 u mori jetën mbi 6 milionë e gjysmë personave dhe ishte shkaktari i katërt më i madh i vdekjeve në botë.
Raporti i Institutit mbi Efektet në Shëndet, i titulluar "Gjendja e ajrit global 2020", tregon se edhe në Shqipëri ka një trend rritës të vdekshmërisë nga ndotja.
Grimcat e pluhurit me një diametër sa 1 e 30-ta e flokut, të njohura si PM2,5, në Shqipëri kapën vlerën mesatare vjetore 18,6 migrogram për metër kub, disi më lart nga viti 2016 që shënoi rekordin më të ulët por jo më mirë sesa Europa Perëndimore.
Krahasuar me vendet fqinje, përpos Greqisë që paraqitet në vazhdimësi më e pastër ambientalisht, Mali i Zi, Serbia, Bosnjë-Hercegovina regjistruan secila vlera më të larta të grimcave të pluhurit në ajër, veçanërisht Maqedonia e Veriut rreth 30 mikrogram për metër kub.
Për sa i përket vdekshmërisë, në Shqipëri vitin e kaluar mësohet se ndotja e ajrit shkaktoi të paktën 2.280 viktima, 10 më shumë sesa viti 2018 dhe një trend që vazhdon prej një dekade.
Me përjashtim të Malit të Zi që raportoi 3-fishin më pak vdekje nga ndotja, në 2019-n Serbia raportoi 5-fishin e vdekjeve të Shqipërisë nga ambientet e ndotura.
Vdekjet nga sëmundjet e mushkërive, dëmtimi i aparatit të frymëmarrjes, goditjet në zemër dhe diabeti ishin disa nga pasojat e ajrit të ndotur në Shqipëri.
Në botë, sëmundjet e tensionit, duhanpirja dhe dieta e dobët janë shkaktërë më të mëdhenj sesa ndotja, të pasuar nga mbipesha, kolesteroli, keqfunksionimi i veshkave, kequshqyerja dhe abuzimi me alkoolin që u merr jetën mbi 2 milionë vetave çdo vit.
Ajri i ndotur në botë paraqitet problematikë më e madhe në Indi, Nepal dhe në shtetin afrikan të Nigerit, ndërsa ndër vendet me sasinë më të vogël të grimcave të pluhurit në ajër, renditen Australia, Kanadaja, Estonia dhe Finlanda.