Firmoset urdhri i dëbimit për agjentin iranian: I padëshiruar në Shqipëri për 15 vite

Ministra e Brendshme shqiptare firmos urdhrin e dëbimit për iranianin Ehsan Bidi. Në urdhrin që Ora Neës e disponon, iraniani cilësohet si person i padëshiruar me një afat prej 15 vitesh.

Bidi dyshohet të jetë dezertor i muxhahedinëve, i dyshuar si agjent i Inteligjencës iraniane, ndërsa ka ardhur në Shqipëri si pjesë e grupit të muxhahedinëve të mbërritur në kampin e Manzës përgjatë vitit 2013. 

Në gusht të këtij viti ai tentoi të dilte nga Shqipëria nëpërmjet kufirit të gjelbër me Greqinë dhe më pas u akuzua si i infiltruar i qeverisë së Iranit brenda kampit MEK në Manzë.

MEK reagoi duke thënë se Ehsan Bidi iu dorëzua forcave irakene më 19 prill 2012 dhe ka ardhur në Shqipëri nën kujdesin e regjimit iranian dhe me pasaportë iraniane, duke shtuar se që në vitin 2012 ai nuk ka qenë në asnjë vend me MEK.

Nga Shqipëria janë dëbuar dhe janë shpallur persona ‘Non Grata’ rreth 80 shtetas të huaj për veprimtari të dyshimta, kryesisht shtetas iranianë.

Edhe vitet e fundit dy diplomatë iranianë u dëbuan nga Shqipëria, ndërsa në vitin 2018 u dëbua edhe kryediplomati i Ambasadës Iraniane në vendin tonë.

Ndërkohë po hetohen edhe persona të tjerë që mund të ketë bashkëpunuar i infiltruari nga Ministria e Inteligjencës iraniane.