Frikë në Vatikan, 4 Roje Zvicerane pozitivë me Covid-19
Frikë në Vatikan. Siç raporojnë mediat italiane, 4 Roje Zvicerane kanë rezultuar pozitvë me Covid-19. Të infektuarit në fjalë kanë simptoma dhe janë karantinuar menjëherë.
Lajmin e ka konfirmuar edhe shefi i zyrës së shtypit në Vatikan, Matteo Bruni.
Katër rastet e rojeve vijnë pas tre rasteve pozitive të tjera të gjetura në javët e fundit midis banorëve dhe qytetarëve të shtetit, të gjitha me simptoma të lehta dhe për të cilat janë vërejtur të gjitha masat e nevojshme të izolimit në shtëpinë e tyre dhe verifikimin e njerëzve të përfshirë.
Deri tani, mini-shteti i Vatikanit numëronte vetëm 12 raste me Covid-19 dhe 0 viktima.
Ndërkohë, prej disa shekujsh, Rojet Zvicerane janë trupa që merret me sigurinë e Papës.
Pakëz histori
Grupi i parë me 150 roje zvicerane mbërriti në Romë në vitin 1506. Hyri nga Porta del Popolo e, që aty, në Vatikan, ku u bekua nga Papa Juli II. Marrëveshja për rojet zvicerane qe nënshkruar që në vitin 1497, nga Papa Siksti IV dhe Konfederata e Zvicrës. Me këtë rast Papa ndërtoi për Rojet kazermat, si dhe një kishë të vogël, atë të Shën Pelegrinit, edhe sot e kësaj dite në Rrugën e Pelegrinit apo të shtegtarit, në qytetin e Vatikanit.
Arma e Rojes Zvicerane Papnore shkroi një faqe të lumnueshme të historisë së saj më 6 maj 1527, me flijimin e 147 ushtarëve, rënë gjatë “Plaçkitjes së Romës” nga Lancikenekët, mercenarë gjermanë të kohës së Rilindjes. Ranë për të mbrojtur Papën Klementi VII. Në këtë datë, që përkujtohet çdo vit, bëjnë betimin solemn rojet e reja zvicerane, ceremoni shumëngjyrëshe, e ndjekur fort edhe në botë, për natyrën e saj krejt të posaçme festive. Kujtuam vetëm një ngjarje të madhe, në jetën e Rojeve. Por ata, gjatë shërbimit në shekuj, morën pjesë edhe në beteja të tjera, gjithnjë në mbrojtje të Papëve e të Selisë Apostolike.
Ndërsa sot ruajnë vetëm hyrjet në Shtetin e Vatikanit, në muzetë dhe institutet e rëndësishme të Selisë së Shenjtë, të armatosur thjesht me alabarda. Është fjala për një armë të bardhë, një lloj sopate me teh e majë të mprehtë, montuar mbi një shtizë të gjatë. Alabarda është armë simbolike e kohëve të kaluara. Për vizitorët e Vatikanit rojet zvicerane, që flasin gjuhët kryesore të botës, kanë gati një armë tjetër, që të çarmatos menjëherë: buzëqeshjen dhe mirësjelljen. Alabarda plotëson veshjen, ku shkrihen harmonikisht ngjyra blu, e kuqja e portokalli. Ky kostum, tejet i çuditshëm, por edhe tërheqës për kohët tona, mendohet të jetë skicuar nga Mikelanxhelo i madh.
Mund të shërbejë si roje zvicerane çdo mashkull me nënshtetësi zvicerane, katolik, i moshës 18-30 vjeç, i gjatë jo më pak se 174 cm, i pamartuar, i pajisur me çertifikatë për aftësitë profesionale, ose me diplomë të shkollës së mesme, që ka kryer me nder shërbimin ushtarak në Zvicër. Mund të jenë të martuar vetëm ushtarakët me grada më të larta.